Situata nga zjarret, foto ilustruese

Kronikë

Situata nga zjarret/ Mbrojtja: 34 vatra gjatë 24 orëve të fundit, 5 prej tyre mbeten aktive në Bulqizë, Fushë Arrëz, Tiranë, Gramsh e Korçë

17 Gusht, 10:54| Përditesimi: 17 Gusht, 13:17

  • Share

Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 34 vatra zjarri nga të cilat 5 mbeten aktive.

Bulqizë, në fshatin Tërnovë, disa vatra janë vënë nën kontroll, por problematike mbeten ato në “Maja e Shkëmbit” dhe drejt Valikardhës e Peladhisë. Intensiteti i flakëve është mesatar, ndërkohë që në operacion janë angazhuar 8 efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, 8 forca bashkiake dhe 8 forca të Shërbimi Pyjor, ndërsa në mbështetje kanë shkuar edhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura dhe helikopteri i Forcës Ajrore.

Fushë Arrëz, zjarri i nisur në fshatin Xeth u përhap në disa të tjerë (Kulumri, Trun dhe Kunorë-Dardhë), por falë ndërhyrjes tokësore dhe ajrore me dy helikopterë, situata u vu nën kontroll gjatë natës. Situata, e ndikuar edhe nga reshjet e shiut që përfshinë zonën, është vënë nën kontroll dhe po mbahet nën monitorim.

Pezë Helmës të Tiranës, zjarri u përhap me shpejtësi dhe doli jashtë kontrollit, por ndërhyrja nga ajri e helikopterit të Emirateve të Bashkuara Arabe ndihmoi në uljen e intensitetit. Ditën e sotme raportohet se vatra e zjarrit ka intensitet të ulët. 

Gramsh, disa vatra në fshatrat Kullollas, Kodovjat dhe Ermenj u riaktivizuan, por u neutralizuan me ndërhyrje në terren, ndërsa në “Teqenë e Dushkut” zjarri po izolohet. Aktive është vatra në Malin e Koshnicës, e cila po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor dhe banorë të zones.

Mirditë, në fshatin Rreja e Zezë, u arrit izolimi i plotë i zjarrit, duke shmangur rrezikun e përhapjes. Ndërkohë, në Parkun Natyror të Gërmenjit në Kolonjë, zjarri vijon aktiv në disa vatra, të vështirësuar edhe nga shpërthimet e municioneve të mbetura nga lufta italo-greke, megjithëse aktualisht nuk ka përhapje të mëtejshme.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 690 forca operacionale, të mbështetura nga 110 trupa të Forcave të Armatosura me 2 mjete zjarrfikëse. Gjithashtu u angazhuan 2 helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe 1 helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ora 11:29
Korçë/ Vijon zjarri në Parkun e Gërmenjit, bie intensiteti por rritet sipërfaqja e djegur, priten reshje shiu! Prefekti Jole: 100 forca në terren, vetëm 1 vatër (VIDEO)

Nga informacioni më i përditësuar, sot situata e zjarrit në Parkun Natyror të Gërmenjit paraqitet disi më e qetë dhe nuk ka shumë vatra të reja të zjarrit, por  sipërfaqja e prekur është zgjeruar më shumë.

Gazetari i Report Tv, Armand Braho, informon se në terren janë rreth 65 forca të MZSH Kolonjë, drejtoria rajonale e Zonave të Mbrojtura, policia kufitare, shërbimi pyjor e vullnetarë, mbështetur edhe prej 35 forcave të ushtrisë nga reparti i Drenovës, duke qenë se përhapja dje depërtoi në zonën e mbrojtur të pyllit dhe risku është i lartë.

Auroritetet vendore thanë se falë kësaj përpjekjeje sot pritet që situata të normalizohet, duke shpresuar që do të favorizohen edhe nga reshje shiu, sepse parashikimi i motit është për vranësira.

Edhe prefekti i qarkut, Nertil Jole, bëri një rezyme të situatës më të fundit nga zjarret në qark. Ai tha se ka vetëm 1 vatër aktive, që është ajo e Gërmenjit.

Postimi i prefektit Nertil Jole:

“Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive. Nga informacioni më i përditësuar, situata e zjarrit të rënë në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës prej datës 11 gusht, paraqitet relativisht më e qetë sot, por ende ka prezencë aktive të zjarrit (pikat e kuqe në hartë).

Në terren sot janë organizuar rreth 65 forca nga MZSH, AdZM, policia kufitare, punonjës shërbimi të bashkisë e vullnetarë të zonës, të mbështetur nga 35 forca të ushtrisë. Terreni ka vështirësi pasi kërkon afro 3 orë për të mbërritur në sipërfaqen e prekur dhe duhet shumë kujdes sepse zona ka edhe municione.

Po punohet prej gjashtë ditësh për të penguar sa është e mundur depërtimin brenda kurorës zonë të mbrojtur. Strukturat vendore janë në komunikim edhe me palën greke, për të koordinuar veprimet, duke shpresuar se ditën e sotme situata do të përmirësohet akoma më shumë.

Ripërsëris apelin për kujdes të shtuar nga të gjithë, për të shmangur situata të tilla që kërkojnë shumë energji njerëzore e shpenzime buxhetore për t'u neutralizuar!”

Postimi i prefektit Nertil Jole
Ora 09:09
Rrogozhinë/ Po digjte mbeturinat në tokën e tij, por shkrumboi sipërfaqe të mëdha me pemë dru-frutore! Arrestohet 31-vjeçari (EMRI+VIDEO)

Rrogozhinë- I vuri zjarrin tokës për të djegur mbeturinat, por flakët i dolën jashtë kontrollit, duke shkrumbuar sipërfaqe të tëra me pemë dru-frutore.

Policia e Rrogozhinës ka arrestuar autorin e dyshuar të zjarrvënies në fshatin Ballaj. Ai është Izabel Aliu, 31 vjeç, dhe ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme (16 gusht).

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme, në territorin e fshatit Ballaj, kishte rënë zjarr i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, shkuan menjëherë në vendin ku kishte nisur zjarri. Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. A., 31 vjeç, banues në Vilëbashtovë, Rrogozhinë”, bëri me dije policia vendore.

Policia sqaron më tej se arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Ballaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara”, mbyllet apeli i uniformave blu.

Xh.D/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimi Trump-Putin do të sjellë paqen në Ukrainë?