Kronikë

29 zjarre në vend, Mbrojtja: Aktive vatra te Syri i Kaltër dhe Mali i Sopotit, era po favorizon flakët në Tërnovë të Bulqizës! 4 helikopterë në Poliçan

14 Gusht, 09:03| Përditesimi: 14 Gusht, 16:10

  • Share

Shqipëria vazhdon të përballet me flakët që e kanë ‘pushtuar’ prej ditësh nga veriu në jug. Në 24 orët e fundit, janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 mbeten aktive njofton ministria e Mbrojtjes. 

Në qarkun Vlorë, përpjekjet janë përqendruar në disa vatra problematike, përfshirë Syrin e Kaltër, ku operojnë mbi 200 forca nga zjarrfikësit, ushtria e bashkitë, 11 automjete zjarrfikëse dhe 10 automjete transporti të FA-së. Zjarri në malin e Sopotit që kaloi nga Delvina drejt Gjirokastrës vazhdon aktiv por nën kontroll, ndërkohë që vatra të tjera mbeten aktive në fshatrat Pecë, Sirikat, Kardhikaq të bashkia Finiqit, Kuç të Himarës dhe Brataj të Selenicës. 

Në qarkun Dibër, në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, forcat janë përqendruar në monitorim të situatës. Vatra me intensitet të lartë janë regjistruar edhe në fshatin Tërnovë, ku flakët që po zhvillohen në disa fronte po përhapen nga era. Aktualisht operojnë forca të MZSH, pyjore, bashkiake dhe ushtria, duke arritur të mbajnë larg rrezikun nga banesat.

Në qarkun Berat, situata më kritike është në fshatin Plashnik të Poliçanit, dhe Zona e Mbrojtur “Rezervati i Menaxhuar Balloll”. Në Plashnik, ku për shkak të erës dhe flakëve të forta janë rrezikuar banesa në disa lagje, dje janë evakuuar 20 banorë. Janë angazhuar 4 helikopterë, dy të Emirateve të Bashkuara Arabe. Zjarre të tjera ka në Zhapokikë, Velçan, Orizaj, Vokopolë dhe afër qytetit të Poliçanit, të cilat po mbahen në monitorim ose janë vendosur nën kontroll.

Në qarkun Elbasan, situata më serioze është në fshatin Kullollas të Gramshit, ku janë angazhuar mbi 200 forca tokësore dhe ajrore, përfshirë helikopterë dy çekë dhe sllovakë. Zjarret në Kodovjat dhe Sojnik janë izoluar dhe nuk paraqesin rrezik për banesa. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. 

Në qarkun Tiranë, ka vatra në malin e Bërzhitës në fshatin Ibë, në Damjan-Fortuzaj, Isufaj, Ferraj dhe Zall-Herr të bashkisë Tiranë, si dhe në fshatrat Spanesh dhe Kazie të bashkisë Rrogozhinë. Pjesa më e madhe e tyre janë vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, policisë dhe strukturave të tjera, por terreni i vështirë ka penguar ndërhyrjen e mjeteve në disa raste.

Në qarkun Gjirokastër, përpjekjet vazhdojnë për shuarjen e zjarrit të ardhur nga Finiqi në territorin e Dropullit, si dhe në drejtim të fshatrave Dhuvjan, Lugar dhe Frashtan. Në Hormovë të Tepelenës dhe majën e Golikut vazhdon monitorimi. Po ashtu, në malin e Sopotit ka zjarre afër antenave të RTSH-së, por situata po mbahet nën kontroll.

Në qarkun Shkodër, në zonën malore të Fushë Arrëzit (fshati Xath), zjarri ka rrezikuar zonën e Trunit dhe majën Kunor Dardhës. Pavarësisht terrenit të thyer, po operohet nga toka dhe ajri me ndihmën e helikopterëve të FA.

Në qarkun Kukës, një vatër e rrezikshme ka përfshirë zonën pyjore të Parkut Natyror Korab-Koritnik në fshatin Bele. Forcat po punojnë për izolimin e zjarrit në një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore.

Në qarkun Korçë, zjarri në fshatin Gërmenj të Kolonjës ka përfshirë një sipërfaqe me pisha. Puna është vështirësuar nga shpërthimet e municioneve të vjetra në zonë, ndërkohë që janë angazhuar forcat operacionale dhe makineri për hapjen e rrugëve dhe brezave mbrojtës.

Në total, për përballimin e situatës janë angazhuar 1,143 forca tokësore, 409 efektivë të Forcave të Armatosura, 65 automjete zjarrfikëse, 23 mjete ushtarake, si dhe 3 helikopterë të FA-së. Përforcime ka pasur me 7 helikopterë dhe 1 avion Canadair nga Italia. 

Lajm ne perditesim...

 

Ora 16:08
Zjarret në vend/ Kisha Ortodokse: Lutemi të shuhen sa më shpejtë dhe pa pasoja!

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka mbajtur një lutje speciale lidhur me situatën e zjarreve në vend, që kanë shkaktuar një humbje jetë, djegien e shumë banesave dhe evakuimin e banorëve në disa fshatrat të vendit.

Kisha u bën thirrje besimtarëve që të bashkohen në lutje, në këtë kohë të vështirë, dhe të kërkojnë me besim mbrojtje dhe paqe për vendin dhe njerëzit që po vuajnë nga pasojat e zjarreve.

“Me vendim të Sinodit të Shenjtë, në shenjë solidariteti me situatën e rëndë që po kalon vendi ynë për shkak të zjarreve të shumta, në Litanitë e Paqes së Liturgjisë Hyjnore dhe të shërbesave të shenjta, shtohet lutja e mëposhtme:

"Për pushimin e shpejtë dhe pa pasoja të zjarreve, për shpirtrat e atyre që humbën jetën,  për ndihmën e vëllezërve e motrave që gjenden në rrezik e në vuajtje për shkak të tyre, si edhe për ata që me vetëmohim luftojnë për shuarjen e tyre, me përgjërim dhe solidaritet, le t’i lutemi Zotit.”

Kjo lutje do të shqiptohet veçanërisht në të gjitha shërbesat e shenjta të festës së madhe të Fjetjes së Hyjlindëses Mari, më 15 gusht, një ditë tepër e shenjtë dhe e dashur për besimtarët orthodhoksë shqiptarë.

I bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve të marrin pjesë duke bashkuar zërin e tyre në lutje, që me ndërmjetësinë e Hyjlindëses së Tërëshenjtë, vendi ynë të ruhet dhe shpëtohet nga çdo rrezik dhe fatkeqësi”, thuhet në njoftim.

Ora 15:28
Dy vatra të reja zjarri shfaqen në masivin pyjor të Mirditës, era përhap flakët me shpejtësi, rrezikohet dhe fshati!

1755177489_lezhe.jpg

Dy vatra zjarri janë shfaqur sot në masivin pyjor pranë fshatit Velë, në Mirditë.

Për shkak të dendësisë së pyllit dhe erës së fortë, flakët po marrin përmasa të mëdha dhe rrezikojnë të përhapen më tej.

Në terren ndodhen forcat e Bashkisë Mirditë, të cilat po punojnë për izolimin e zjarrit. Autoritetet i bëjnë thirrje banorëve të zonës që kanë mundësi, të ofrojnë ndihmë për përballimin e situatës.

Shkaqet e rënies së zjarrit nuk dihen ende, ndërsa po vijon puna për shuarjen e tij.

1755178244_5e43b194de364eb1881ab0832545e924.jpg

1755178257_ca81b03333284bd58e3197bd4a745dbb.jpg

Ora 13:40
Zjarret në vend/ Vijon të jetë aktive vatra në zonën pyjore të kurorës së Dardhës, Fushë Arrëz! Ndërhyn helikopteri

Ndonëse situata është më e qetë dhe pa rrezik për banesat, zjarri i rënë në zonën pyjore të kurorës së Dardhës në bashkinë e Fushë Arrëzit vijon të jetë aktiv.

Flakët që përfshiu hektar të tërë me pyje teksa ka lënë të shkrumbuar mijëra pisha dhe bredh tashmë i ndihmuar nga erërat është ngjitur në kurorë, e cila përbëhet kryesisht nga pisha dhe lis.

Sot është bërë e mundur ndërhyrja me helikopter i cili uli intensitetin, por pa arritur shuarjen totale.

Ora 12:56
FOTOLAJM/ Gramshi, ‘i skuqur’ në Google Maps nga zjarret

1755169144_pamjetegooglemapsprzjarretngramsh.png

Fshatra të tërë të Gramshit janë djegur nga zjarret e mëdha që përfshinë këtë zonë përgjatë 2-3 ditëve të fundit.

Situata alarmante nga zjarret që ka përfshirë kurorën e pyjeve, shfaqet edhe në Google Maps, ku në hartë është pasqyruar me ngjyrë të kuqe.

Fshatrat Snosëm, Sojnik, Nartë, Harunas, Skënderbegas, Kullollas, Ermënj u dogjën nga flakët e mëdha.

Një i moshuar rreth 80 vjeç humbi jetën nga zjarri, pasi u asfiksua nga tymi. Nga hetimet e policisë, rezultoi se ai ishte shkaktari i zjarrit që dogji të gjitha këto fshatra, pasi ndez zjarr në kopshtin e banesës, që u përhap më pas në gjithë zonën.

Ora 12:53
Zjarri në malin e Tërnovës dhe Martanesh, po operohet nga toka dhe ajri! Mbi 50 hektarë pyje të djegura

Vazhdojnë të jenë aktive dy vatrat e zjarrit në qarkun Dibër, në malin e Tërnovës dhe në Val të Martaneshit. Raportohet se për shuarjen e flakëve po operohet nga toka dhe me helikopter.

Nuk ka rrezik për banesat por janë djegur mbi 50 hektarë pyje.

Ora 11:06
Ministria e Mbrojtjes: 29 vatra aktive zjarri, situata është më e stabilizuar

29 vatra zjarri vijojnë të jenë ende aktive në vend, nga 57 që u shfaqën në 24 orët e fundit.

Të dhënat janë bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes, që sqaron se situata nga zjarret është më e qetë dhe më e stabilizuar gjatë ditës së sotme.

Në Delvinë, në zonën e Syrit të Kaltër, situata vijon të jetë e vështirë, megjithatë nën kontroll.  

Edhe në fshatrat Zhapokikë, Plashnik (lagja Lugas) dhe Zona e Mbrojtur “Rezervati i Menaxhuar Balloll” në zonën e Tërpanit të Beratit po punohet me intensitet.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 65 mjete zjarrfikëse, 1143 forca, të ndihmuar nga 409 ushtarë të Forcave të Armatosura, 23 mjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA.

Gjithashtu nga Italia erdhi një avion Canadair dhe 7 helikopterë.

Aktualisht po punohet me intensitet në këto vatra:

Qarku Vlorë Në bashkinë Delvinë vijon puna për vatrën e zjarrit në Syrin e Kaltër. Në terren po operojnë: 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete transporti, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Zjarri vazhdon aktiv në lartësitë e Malit të Sopotit.Vijon të jetë aktive vatra në fshatrat Pecë, Sirikat dhe Kardhikaq, bashkia Finiq. Situata po mbahet në vëzhgim nga strukturat vendore. Zjarri në fshatin Kuç, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, vijon në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje. Po operojnë forcat zjarrfikëse.Në fshatin Brataj, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë, është shfaqur një vatër zjarri. Po operojnë forcat zjarrfikëse.

Qarku Dibër Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, në afërsi të fshatit Val, njësia administrative Martanesh, bashkia Bulqizë, në zonë të mbrojtur. Forcat zjarrfikëse janë përqendruar në monitorim duke mbajtur këtë vatër nën kontroll. Ditën e sotme në terren ndodhen 2 forca nga AdZM dhe 5 forca vullnetare.Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, zjarri është zhvilluar në disa vatra, por me intensitet të lartë në zonë me pyje,  ndihmuar nga era. Ditën e sotme vazhdon operacioni me 8 forca nga MZSH, 6 forca pyjore, 4 forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA. Nuk ka rrezik për banesa.

Qarku Berat

Në fshatrat Zhapokikë, Plashnik (lagja Lugas) dhe Zona e Mbrojtur “Rezervati i Menaxhuar Balloll” në zonën e Tërpanit, me origjinë në fshatin Rehovë, njësia administrative Tërpan, bashkia Poliçan. Në fshatin Plashnik, për shkak të intensitetit të lartë të zjarrit dhe erës së fortë u rrezikuan seriozisht banesat në lagjet Totaj, Ziflaj, Serjanaj dhe Beqiraj, ku dje u evakuan 20 banorë. Sot në ndihmë të forcave tokësore shkuan edhe 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe 2 helikopterët që operonin në bashkinë Gramsh. Në fshatin Velçan, njësia administrative Sinjë, bashkia Berat. Gjatë natës në terren qëndruan 2 grupe shërbimi me 2 automjete zjarrfikëse.Në fshatin Orizaj, njësia administrative Qendër Skrapar, bashkia Skrapar, vijon zjarri në një sipërfaqe me shkurre e bimësi mare. Vatra nuk paraqet rrezik dhe gjatë natës është mbajtur në monitorim nga strukturat bashkiake.Në fshatin Vokopolë, njësia administrative Tërpan, bashkia Poliçan, vatra e zjarrit ka qenë me intensitet të ulët dhe po mbahet në monitorim. Vatra e zjarrit midis qytetit të Poliçanit dhe fshatit Mbrakull vazhdon, por situata ka qenë e qetë dhe nën kontroll nga forcat zjarrfikëse.

Qarku Tiranë

Në “Malin e Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, vijon zjarri. Gjatë ditës në terren u angazhuan 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë nga MZSH Tiranë, 5 forca APR dhe forca nga Policia e Shtetit, të cilët arritën ta vinin vatrën nën kontroll duke evituar rrezikun për banesat. Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë. Në terren u angazhuan 3 automjete zjarrfikëse me 16 efektivë nga MZSH, 5 forca nga APR dhe forca nga Policia e Shtetit, të cilët arritën ta vinin vatrën nën kontroll. Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, njësia administrative Zall Herr, bashkia Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e terrenit kodrinor-malor ka qenë i vështirë veprimi i mjeteve zjarrfikëse dhe nuk u mundësua shuarja e plotë e flakëve, por u arrit të vihej nën kontroll duke evituar rrezikun për banesat. Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatrat Spanesh dhe Kazie, njësia administrative Kryevidh, bashkia Rrogozhinë. Ditën e sotme zjarri është izoluar dhe po mbahet në vëzhgim.

Qarku Gjirokastër

Vijon puna për shuarjen e zjarrit të ardhur nga bashkia Finiq në territorin e bashkisë Dropull, në drejtim të fshatit Dhuvjan dhe fshatrat Lugar e Frashtan, vatër e cila u përhap në dy fronte në majën e Leftokaresë dhe më pas u vu nën kontroll.Vijon puna për shuarjen e zjarrit në Hormovë, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë. Sot nuk ka vatra aktive në fshatra, por vetëm në lartësi të Majës së Golikut. Në malin e Sopotit ka rënë zjarr në afërsi të antenave të RTSH. Sipërfaqja e djegur po mbahet nën monitorim.

Qarku Elbasan

Sot që në orët e para të mëngjesit ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kullollas, njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, në një zonë pyjore. Në terren u angazhuan: 30 forca zjarrfikëse me 11 automjete të MZSH-ve Gramsh, Elbasan, Cërrik dhe Librazhd; 60 forca bashkiake; 80 forca vullnetare dhe 70 efektivë të FA me 2 mjete zjarrfikëse. Në operacionet ajrore morën pjesë 2 helikopterë (çek dhe sllovak). Operacioni vazhdon me angazhimin e forcave vendore. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kodovjat, afër fshatit Posnovisht, njësia administrative Kodovjat, bashkia Gramsh. Pas punës së forcave në terren u arrit të izolohet zjarri dhe gjatë natës është mbajtur në monitorim. Vijon të jetë i pranishëm zjarri i rënë në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk kanë qenë të rrezikuara banesat.

Qarku Shkodër

Në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xath, njësia administrative Blerim ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit dhe vënien e tij në kontroll. Zjarri ka rrezikuar edhe fshatin Trun, në pjesën e majës së Kunor Dardhës, në një terren shumë të thyer malor. Aktualisht po operojnë forcat tokësore dhe helikopteri i FA.

Qarku Kukës Në fshatin Bele, njësia administrative Zapod, bashkia Kukës ka rënë zjarr në Parkun Natyror Korab-Koritnik, në një sipërfaqe pyjore. Vazhdon angazhimi i forcave në terren për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

Qarku Korçë

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të aktivizuar në një sipërfaqe pyjore me pisha në fshatin Gërmenj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë. Në terren ndodhen forcat operacionale dhe 3 mjete për hapjen e rrugës dhe brezat e sigurisë kundër zjarrit. Gjatë ditës së djeshme ka patur shpërthime të municioneve që ndodheshin në brendësi të perimetrit të vatrës së zjarrit.

Situata është në mbikëqyrje nga MZSH Kolonjë.Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 65 automjete zjarrfikëse dhe 1,143 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 409 forca ushtarake, 23 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë 7 helikopterë dhe 1 avion Canadair nga Italia.

Ora 09:50
Zjarret në Gramsh/ Situatë e qetë në Skënderbegas, aktive vatra në Ermenj! Vazhdojnë flakët edhe në pyjet e Sojnikut dhe Snosmit

1755010519_gramsh.jpg

Pas një dite të vështirë, situata nga zjarri në njësinë Skënderbegas të Gramshit paraqitet më e qetë sot. Raportohet vetëm për një vatër zjarri mbi fshatin Ermenj, por shumë larg banesave.

Më e rënduar situata është në krahun tjetër, tek vatrat e para disa ditëve në fshatrat Sojnik, Snosem, në vendin e quajtur Teqeja e Komjanit.

Në këtë zonë janë përqendruar forcat për të shmangur një tjetër situatë të vështirë sikurse në fshatrat ku u dogjën 39 shtëpi si dhe bagëti e bimësi të ndryshme.

Ora 09:15
Korçë/ Zjarri në Parkun e Gërmenjës nën kontroll, flakët përhapen drejt Greqisë nga era e fortë

Situata e vatrës së zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës në Korçë paraqitet e njëjtë. Ditën e sotme ka një shtrirje më të madhe të sipërfaqes së prekur nga zjarri drejt territorit grek, si pasojë e erës së fortë.

Ekipi në terren ka shkuar që orët e para të mëngjesit të sotëm, për të vijuar gjatë gjithë ditës mbajtjen në kontroll e monitorim, duke punuar për të parandaluar përhapjen e perimetrit të zjarrit brenda kurorës zonë e mbrojtur.

Në terren ndodhen rreth 40 forca dhe 9 mjete.

Shërbimi i bashkisë Kolonjë ka angazhuar edhe tre mjete për hapje rruge pyjore, në mënyrë që mjetet zjarrfikëse të afrohen sa më pranë sipërfaqes së prekur, e cila ndodhet në një distancë rreth dy orë larg në një terren të vështirë.

Zona paraqet edhe rrezikshmëri nga municionet, ndaj veprimet në terren janë shumë të kontrolluara.

Efektivët dhe automjetet në terren:
Forca zjarrfikëse 11
Mjete zjarrfikëse 2
Zonat e Mbrojtura 6 forca
Vullnetarë 5
Forca të ushtrisë
5 xhenierë, 4 kimisë
Mjete ushtarake 2
Forca policie 3
Mjete policie 1
Forca pyjore 4
Mjete pyjore 1
Forca të bashkisë 6
Mjete agregate 3
Ora 08:54
Tre zjarre në qarkun e Beratit, vazhdon aktive në disa drejtime vatra në Zonën e Mbrojtur Balloll në Poliçan

1754924534_zjarret.JPG

Në qarkun e Beratit, vazhdon të jetë aktive zjarri në Zonën e Mbrojtur Balloll në Poliçan. Vatra me intensitet mesatar po zhvillohet në disa drejtime, në drejtim të fshatit Plashnik i madh, në drejtim të lagjes Selenicë të fshatit Çorogjaf, si dhe vet sipërfaqen pyjore.

Zjarri zhvillohet brenda pyllit në terren të vështirë dhe pritet edhe ndërhyrja nga ajri. Në terren janë prezente forca të ushtrisë, 1 mjet zjarrfikës, 6 zjarrfikës të ushtrisë, 5 punonjës të ADZM Berat, ndërkohë që pritet të shkojnë dhe dy grupe nga Poliçani.

Vatra tjetër aktive është në fshatin Velçan të njësisë administrative Berat, ku terreni e bën të vështirë ndërhyrjen. Për momentin gjendja paraqitet e qetë ndërsa po punohet me dy mjete zjarrfikëse dhe 12 forca.

Vatra e tretë raportohet në fshatin Orizaj të Njësinë Administrative Qendër Skrapar. Terreni është i vështirë, por situata është e qetë. Në terren po shkojnë 8 efektivë dhe dy mjete zjarrfikëse.

Ora 08:25
Kukës/ Izolohen zjarri në zonën pyjore të fshatit Bele, pjesë e Parkut Kombëtar Korab-Koritnik

Në qarkun e Kukësit deri më tani nuk është raportuar për rënie të reja zjarresh, ndërsa një vatër e re, që u shfaq të mërkurën pasdite në sipërfaqet pyjore të fshatit Bele, pjesë e Parkut Kombëtar “Korab-Koritnik”, është izoluar plotësisht.

Sipas Prefekturës, zjarri është vënë nën kontroll dhe po mbahet nën monitorim nga strukturat e bashkisë për të garantuar shuarjen e tij të plotë. Për izolimin e flakëve u angazhuan dhjetëra punonjës të shërbimit zjarrfikës, ekipe të emergjencave civile të bashkisë Kukës, si edhe punonjës të zonave të mbrojtura.

Banorët e zonës kontribuuan gjithashtu në frenimin e përhapjes së zjarrit. Në bashkitë Tropojë dhe Has nuk janë raportuar problematika emergjente. Vetëm gjatë kësaj jave në qarkun e Kukësit janë evidentuar tre raste zjarre.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?