Dy persona kanë humbur jetën brenda një automjeti të shkrumbuar nga zjarri i fuqishëm që ka përfshirë rajonin jugor të Qipros, ndërsa vendi po përjeton një valë të rrezikshme të të nxehtit, me temperatura që kanë arritur deri në 4 gradë Celsius.
Policia qipriote konfirmoi se trupat e pajetë të karbonizuar u gjetën në një makinë të djegur në fshatin Malia, në Limasol, ku zjarri shpërtheu të mërkurën pasdite.
Viktimat nuk janë identifikuar zyrtarisht ende, por sipas raportimeve të mediave lokale, automjeti i përkiste një gruaje 77-vjeçare e cila ishte shpallur e zhdukur. Dyshohet se bëhet fjalë për një çift të moshuarish nga zona.
Më shumë se një duzinë personash të tjerë kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të plagëve të shkaktuara nga zjarri, i cili ka shkatërruar shtëpi dhe ka përpirë mbi 100 kilometra katrorë tokë.
Rreth 250 zjarrfikës janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët, të cilat janë përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave ekstreme.
Shërbimi Meteorologjik i Qipros ka lëshuar një alarm për temperatura jashtëzakonisht të larta, me vlera që arrijnë deri në 44°C.
Zëdhënësi i Shërbimit të Zjarrfikësve, Andreas Kettis, bëri të ditur se aktualisht nuk ka fronte aktive, por riaktivizime të herë pas hershme të vatrave.
Qeveria e Qipros ka kërkuar ndihmë nga vendet fqinje përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.
Shërbimi i Zjarrfikësve ka dyshime se zjarri mund të jetë i qëllimshëm.
Komente
