Sizmologu grek Tselentis për Report TV: Nuk ishte një tërmet i fortë por do të ketë pasgoditje të vogla

22 Shtator 2019, 16:43| Përditesimi: 22 Shtator 2019, 17:55

  • Share

TIRANË - Drejtori i Observatorit Kombëtar të Gjeodinamikës në Athinë, Akis Tselentis ka komunikuar me Report TV, një ditë pas tërmetit me magnitudë 5.8 që preku Shqipërinë.

Profesori grek i sizmologjisë, i cili u vu në qendër të vëmendjes pas letrës së presidentit Meta për një tërmet "apokaliptik", thotë se tërmeti i djeshëm nuk ishte një tërmet i fortë por mesatar dhe dëmet që u shkaktuan ishin për shkak të cilësisë së ndërtimit.

"Tërmeti i djeshëm kryesor nuk ishte një tërmet i fuqishëm por mesatar. Duke parë që edhe një tërmet i tillë ka shkaktuar dëme, mendoj se kjo është për shkak të kualitetit të ndërtimit". - shprehet  Tselentis.

I pyetur për pasgoditjet dhe rrezikun e tyre, profesor Tselentis shprehet se pas lëkundje nga tërmeti fillestar do të ketë në muajin në vijim por ato do të jenë në magnitudë më të ulët.

"Pasgoditjet nga tërmeti do vijojnë për një farë kohë. Pas lëkundjet mund të ndodhin edhe pas një muaji nga tërmeti i parë. I vetmi shqetësim mund të jetë tek ndërtesat që janë prekur nga goditja e parë e fortë që mund të jenë më të ekspozuara ndaj pasgoditjeve".

Sipas Tselentis nga një tërmet i tillë nuk duhet të ketë fare dëme dhe që në të ardhmen mos ketë dëme të tjera ai thotë se: "Duhet të rishikohen procedurat dhe kodet e ndërtimit të bëhen më strikte për të ulur rrezikun nga tërmetet".

Në lidhje telefonike për gazetarin e Report TV Antonio Çakshiri, Tselentis tha se një gjë e mirë ishte se ky tërmet ndodhi në det pasi u ul forca e goditjes.

"Fatmirësisht epiqendra e këtij tërmeti ishte në det dhe kjo ishte një gjë e mirë pasi kjo e ul energjinë e goditjes. Shqipëria është në një zonë sizmike ku lëvizim pllakat tektonike dhe mendoj se ishte një gjë e mirë që ky tërmet ndodhi në det. Tërmetet mund të ndodhin por s'mund t'i parashikojmë, vetëm nuk duhet të harrojmë kurrë rrezikun prej tyre". - përfundon telefonata e profesorit grek të sizmologjisë.

Akis Tselentis është bërë një emër i njohur në dy muajt e fundit në Shqipëri, ai është personazhi i përmendur në një letër urgjente nga presidenti Meta dërguar  kryeministrit Rama dhe ministres Xhaçka për një tërmet apokaliptik që do të ndodhte në Ballkan, ndërsa burimi i këtij lajmi i citur nga presidenti ishte pikërisht profesor Tselentis. Në atë kohë (30 korrik) Report TV  kontaktoi me profesorin i cili u shpreh se tërmetet nuk mund të parashikoheshin ndërsa presidenti sipas tij ishte keqinformuar sepse ai nuk ishte shprehur kurrë për një tërmet apokaliptik ndërsa kishte folur vetëm për Greqinë duke shpjeguar se si një tërmet i magnitudë 6 ishte 30 herë më i fortë në intensitet sesa ai i magnitudës 5. 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?