Fatime Sokoli

S’jam një çikë nga Dragobia

10 Prill 2018, 16:17| Përditesimi: 10 Prill 2018, 17:28

  • Share

Përditë e më shumë vajzat e gratë luftojnë të quhen feministe. Shpesh debatojnë me njëra-tjetrën mbi kuptimin e këtij termi. Çfarë e bën një vajzë a grua feministe dhe a është kjo një gjë e mirë? Preferoj të pyes dhe të mos kthej përgjigjie.

Feministet sot i shoh nëpër studio televizive, jo të gjitha. Ndonjëra parkon makinën e blerë nga burri jashtë televizionit dhe me keqardhje flet për realitetin e një vajze në fshat që e nis ditën në 5 të mëngjesit dhe e mbyll me kureshtjen se çfarë do të ndodhë në serinë e ardhshme të telenovelës.

Të tjera feministe vrapojnë nëpër konferenca. Kanë organizata jofitimprurëse fitimprurëse dhe i llogarisin femrat në përqindje. Kaq % dhunë, kaq % varfëri, kaq% shypje dhe ja ku dolën të ardhurat edhe për fustanin e konferencës së radhës. Në jo pak raste këto konferenciere feministe drejtojnë një staf vajzash e grash të dhunuara sistematikisht psikologjikisht.

Në kohë të ndryshme feminizmi ka marrë ngjyra të ndryshme. Gratë kanë luftuar për të votuar, për të firmosur, për të drejtuar, për të bërë një tatuazh, për dashur, për t’i dhënë makinës, për të dalë në jetë nate… por edhe për të kënduar…

Fatime Sokoli ka luftuar për të kënduar. Feministja më absolute e kohës së vet. Tashmë për të këndojnë burrat, e kanë përjetësuar duke e quajtur “çikë burrneshë nga Dragobia”.

Nuk dua të ndalem tek edhe “çikë edhe burrneshë”.

E para çikë tropojane që luftoi për emancipimin e femrës shqiptare. Ajo luftoi me zërin e saj. Vetëm duke bërë atë që duam shumë përpos vështirësive të kohës, arrijmë të lehtësojmë rrugën e kujdo që po kërkon guxim. Fatimja nuk tha: “Vajza dilni këndoni, jetoni, kërkoni”, Fatimja këndoi përkundrejt paragjykimeve të fshatit, por edhe të familjes së saj.

Kur jetoi dhe nisi të këndojë Fatimja, gratë në Malësi nuk guxonin të krihnin flokët në sy të burrave. Nuk hanin me ta në një sofër dhe nuk i përshëndesnin dot me kokën lart në udhë. Ajo këndoi në odat e burrave, të atyre burrave që për pak kohë harruan fjalët ofenduese që patën thënë për të në fillim.

Shumëkujt mund t’i duket e çuditshme të gjendet një pikëtakim mes feminizmit dhe Fatimes. Ndoshta, ngaqë feminizmi shihet si një farë “shpikje”, sidomos moderne që lidhet me rebelizëm në veshje, në shije muzikore apo frymëzime joshqiptare.

Çfarë është pra feminizmi? Feminizmi është edhe me qenë një çikë nga Dragobia që i tha babait e të vëllait “dua të këndoj”, kur një Malësi e tërë do ta tregonte me gisht. Unë nuk jam një çikë nga Dragobia. Me keqardhje e them, ama as feministe-konferenciere, me qejf e pranoj. Kollaj të luftosh në beteja të fituara./27.al

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?