Çdo ditë e më shumë tregu industrial i Librazhdit i ngjan një vendi të braktisur.
Siç pohojnë dhe vetë tregtarët ka ditë që bizneset ambulante nuk arrijnë të nxjerrin më shumë se 20 lekë fitim në ditë.
“Shumë vështirësi, se s’ka njerëz, nuk ka blerës. Ndikon se njerëzit nuk kanë lekë nuk kanë me çfarë të blejnë dhe kështu që vijmë këtu rrijmë dhe asgjë nuk çojmë në shtëpi”, thotë një tregtare.
“Shumë dobët, nuk ka punë fare. Nga ana tjetër taksën e Bashkisë duhet ta paguajmë, se duhet paguar. Që vjet, që u bë izolimi dhe deri tani nuk ka fare. Pothuajse ka ditë që ne nuk çojmë kokërr leku në shtëpi. Luftë për mbijetesë është, të arrish të bësh 200 lekë të vjetra xhiro, e ç’a është 200 lekëshi? E të shkosh në shtëpi me 200 lekë është tmerr”, shprehet një tregtare tjetër ambulante.
Të dëshpëruar për shkak të rënies së fuqisë blerëse tregtarët thonë se ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në mungesën e tregut, janë largimi i qytetarëvë jashtë vendit , papunësia dhe të ardhurat e pakta ekonomike.
“Hiç fare, nuk nxjerrim dot bukën e gojës me këtë xhiro, shumë e keqe situata. Treg s’ka hiç fare, këtu ka mbaruar tregu. Shko tek komuna, nga pazari nuk ka punë fare”,thotë një tregtar në Librazhd.
“Aq e rëndë është situata sa 1000 lekë të vjetra, nuk e bën xhiro në ditë, po ç’a të bësh, ja ku është malli këtu dhe me kile nuk shitet”, shpreh një tregtare
Viti pandemik duket se ka ndikuar në thellimin e krizës ekonomike në Librazhd.