'S'ka burrë që tradhton gruan time' është premiera e kësaj komedie satirike që u ngjit mbrëmjen e së premtes në skenën e teatrit "Andon Zako Çajupi". Me regji të Guri Koços dhe pjesëmarrjen e veçantë të aktorit të mirënjohur Herion Mustafaraj, kjo komedi ka në qendër një grua dhe të dashurin e saj dentist të cilët kanë thurur intrigën për të vrarë bashkëshortin e saj. Me një kast aktoresh profesionistë kjo komedi arriti çdo pritshmëri nga regjisori i cili u shpreh mirënjohës për publikun artdashës korçarë.
'Aktorët ishin në formë, por edhe vetë materiali të jepte dorë për të bërë një shfaqje të bukur. Salla ishte plot dhe të qeshura pafund, jam shumë i lumtur që dhe biletat për nesër e pasnesër janë shitur', tha Guri Koço, Regjisor
3 personazhet të cilët pushtuan skenën për 1 orë e 30 minuta, rrëfyen para kamerës të veçantat dhe vështirësitë e kësaj shfaqjeje.
'Një temë aktuale, një temë që do të qëndrojë gjithmonë derisa të ketë martesa, divorce, tradhti, pasione. Ishte e vështirë se shfaqja kërkon impenjim, por komedia të rrëmben vetë dhe situata vijnë shpejt saqë nuk ke kohë të mendosh. Publiku korçarë është intelektual, nuk qesh me banalitete por me thelbin e gjësë', tha Herion Mustafarai, aktor
'Komedia është shumë e bukur por edhe shumë e vështirë, personazhet kanë kalime shumë interesante', tha Blerta Belliu, aktore
'Është një marrëdhënie dashurie jashtë martese. Premiera për aktorët është e frikshme në kuptimin e mirë dhe të keq pasi përballet për herë të parë me publikun dhe ndien reagimin e tyre për herë të parë', tha Kristian Koroveshi, aktor
Komedia 'S'ka burrë që tradhton gruan time' do të vijojë të shfaqet disa ditë me radhë në teatrin e Korçës.