TIRANË- Operatorit i Shpërndarjes së Energjisë njofton se nuk do të lejojë asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet e kryera në shkelje të ligjit. Ashtu siç paralajmëroi kryeministri Edi Rama, OSHEE në një deklaratë për mediat thotë se nuk do të pranojë asnjë kërkesë për lidhje të re me rrjetin elektrik, nëse objekti është pa leje ndërtimi nuk ka zbatuar kushtet e përcaktuara në lejen ekzistuese.
"Në kuadër të aksionit të nisur nga Qeveria Shqiptare për të goditur paligjshmërinë në fushën e ndërtimit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) shprehet i vendosur për të kontribuar në këtë përpjekje të përbashkët institucionale. OSHEE është angazhuar për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore", njofton OSHEE.
OSHEE thotë se do të forcojnë kontrollin dhe kërkesave për lidhje të reja energjie do t’u kushtohet vëmendje e veçantë.
"Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin. OSHEE nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes ndërtimit. OSHEE mbetet e angazhuar të veprojë në përputhje me legjislacionin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar të sigurt, të ligjshëm dhe në shërbim të qytetarëve", thuhet më tej në njoftim.
Komente

Po pse nuk ua keni kërkuar lejen e ndërtimit, spas ligjit kur ua keni lidhur energjinë? Se keni marë ca euro nën dorë at'here. Tani bëni të rreptit.
Përgjigju