Ekonomi

S’ka më afat për qytetarët për dorëzimin e DIVA-s, kush s’dorëzoi deklaratën e të ardhurave do gjobitet!  Deri më 29 qershor u dorëzuan 43.800 deklarata

30 Qershor 2021, 16:59| Përditesimi: 30 Qershor 2021, 18:23

  • Share

Përfundoi këtë të mërkurë afati që kishin të gjithë personat që siguronin të ardhura nga puna mbi 2 milionë lekë në vit dhe të dypunësuarit që të plotësonin deklaratën individuale të të ardhurave. Drejtoria e Tatimeve thotë për Report TV se në total deri në 29 qershor janë dorëzuar 43.800 deklarata, nga 59.435 që duheshin dorëzuar në total.

Konkretisht sipas të dhënave janë 9.558 deklarata të dorëzuar nga individë me të ardhura mbi 2 milionë lekë, ndërkohë që detyrimin për ta dorëzuar e kishin sipas tatimeve 11.500 persona. Ndërkohë janë 34.242 deklarata të dorëzuara nga të dypunësuarit me të ardhura nën 2 milionë lekë. Tek kjo kategori detyrimin për të plotësuar DIVA-n e kishin 47.935 individë.

Fillimisht u njoftua se ishin mbi 88 mijë persona që e kishin detyrim plotësimin e deklaratës, por tatimet sqarojnë zyrtarisht për Report TV se të gjithë individët të cilët siguronin 30 mijë lekë nga dy-punësimi nuk do të përfshihen.

Për herë të parë këtë vit u bë e detyrueshme që edhe personat që kishin punuar në më shumë se një punë në 2020, të plotësonin deklaratën. Ky detyrim rriti automatikisht kostot e qytetarëve pasi të dypunësuarit duhet të bashkonin të dyja pagat, dhe të rillogarisin tatimin, përpos atij që kanë paguar për paga të ndara.

Shembull/ Në rast se i dy-punësuari ka marrë 60 mijë lekë nga njëra punë dhe 30 mijë lekë nga puna tjetër, ai ka paguar tatim në muaj vetëm 3.900 lekë (46.800 lekë në vit), për pagën e parë pasi e dyta aktualisht nuk tatohet. Ndërsa me bashkimin e dy pagave që ndodh në plotësimin e deklaratës, tatimi rritet, pasi në këtë rast ti duhet të paguash për totalin e pagave që është 90 mijë lekë, dhe tatimi shkon 7800 lekë në muaj (93.600 lekë në vit).

Të gjithë qytetarët që nuk e kanë dorëzuar deklaratën do të gjobiten me 5 mijë lekë dhe do të paguajnë interesin dhe kamatëvonesat. DIVA duhet të ishte dorëzuar deri në 30 prill, por që qeveria vendosi të shtyjë afatin deri në 30 qershor për të shmangur gjobat për qytetarët. Janë mbi 15 mijë qytetar që nuk e kanë dorëzuar deklaratën dhe rrezikojnë gjobën.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?