Kryesocialisti Edi Rama ka postuar sot në llogarinë e tij personale në rrjetin social serinë e radhës të “Thaje kënetën!", episodi “Partia e Bufit, Këneta Madhështore”.
Ai mori për sfond një nga fjalimet e fundjavës së kreut të PD-së në Pogradec, i cili mes të tjerash akuzonte se dëmet më të mëdha Shqipërisë ia kishin bërë "udhëheqësit e rinj xhelatë të moshës 20-30 vjeç, si Edi Rama dhe Enver Hoxha".
Por për ironi të fatit përjashtonte veten e tij si anëtar i Partisë së Punës gjatë diktaturës dhe më pas si President.
Dhe këtë moment kreu i mazhorancës e ka shfrytëzuar duke i vendosur një buf në kokë Berishës teksa mban fjalimin dhe në sfond e shoqëron me episodet e ngjarjeve më të zeza të kreut të PD-së në udhëheqjen e tij.
“Po t’i kthehesh këtij vendi, dëme të mëdhaja bënë ata që ishin të rinj. Enver Hoxha, Edi Rama (të qeshura)”, është pjesa që i bën hyrjen videos së bërë nga Rama.
Dhe e shoqërojnë episode nga trazirat e vitit 1997 dhe dhuna policore gjatë zgjedhjeve të vitit 1996 ndaj opozitës së PS.
Më tej vijon momenti i dramës së piramidave, ku shqiptarët humbën kursimet e tyre.
“Sot dhe nesër njerëzit do marrin lekë...!”, është deklarata e Berishës e tre dekadave më parë për paratë e shqiptarëve, por që përfunduan në kaos financiar dhe politik më 1997.
Një këngë vaji e shoqëron në sfond, me tragjeditë në Otranto po në vitin 1997, me poshtëshënimin e Ramës:
“Kur shqiptarët merrnin arratinë nga Shqipëria e Bufit...!”.
Dhe në fund vula përsipër videos: Thaje kënetën...!
Komente
