Nuk ka paqe për Zlatan Ibrahimovic këtë sezon te Milani. Pas analizave të kryera së fundmi, suedezi ka një tjetër problem në gjurin e djathtë të këmbës dhe sipas medieve në Itali ka mbyllur para kohe sezonin. Në ndeshjen e fundit kundër Leçes, Ibra doli në nxehmje për të marrë disa minuta, ndërsa ka ndjerë dhimbje dhe kështu ka pësuar një tjetër lëndim.
Prej gjashtë muajsh Ibra nuk mundi të ishte në fushë për shkak të dy operacioneve në gju, me problemin që duket se nuk është korrigjuar. Tanimë në fazën finale të sezonit, suedezi nuk do jetë gati për trajnerin Pioli dhe shokët e ekipit.
Këtë sezon 41 vjeçari ka kaluar më shumë kohë në infermieri sesa në fushë, duke grumbulluar vetëm 143 minuta në fushë dhe një gol, atë të shënuar ndaj Udineses që e lejoi atë të kalojë Costacurta në renditjen e golashënuesve më të vjetër të Serisë A.
Një rekord që sigurisht nuk mund ta ngushëllojë kampionin suedez, gjithmonë në kërkim për sfida të reja dhe i bindur se mund të garojë ende në nivele të larta pavarësisht problemeve fizike.
"Unë nuk dorëzohem. Sfidat më japin adrenalinë, e kam gjithmonë këtë dëshirë brenda meje për t'u treguar atyre që dyshojnë se e kanë gabim", deklaroi Zlatan një muaj më parë pas rikthimit në kombëtaren suedeze.