Këshilli i Ministrave

S'ka shpërblim për administratën publike për festat e fundvitit, përfitojnë vetëm policët, magjistratët e KPA e KPK dhe Komisionerët publikë

20 Dhjetor 2021, 13:03| Përditesimi: 20 Dhjetor 2021, 13:09

  • Share

Qeveria ka vendosur që administrata publike të mos ketë shpërblim ekstra për festat e fundvitit.  Në një vendim të marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave  se nga ky vendim përjashtohen punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerit Publik dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. “Masa e shpërblimit nuk tejkalon nivelin e një page mujore”- thuhet në VKM.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

V E N D I M PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.929, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE PËRDORIMIN E FONDIT TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 12, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 9, e vendimit nr.929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“9. Përjashtimisht për vitin 2021, fondi i veçantë i njësive të qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.

Ky përcaktim nuk zbatohet për punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerit Publik dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Masa e shpërblimit nuk tejkalon nivelin e një page mujore. Efektet financiare për shpërblimin e punonjësve të sipërpërmendur përballohen nga fondi për pagat e personelit, për institucionet e përmendura në këtë pikë, miratuar në buxhetin e vitit 2021.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xhixhi: 20/12/2021 13:22

    Oh sa mire qe nuk u jepet shperblim administrates publike. Jane te gjithe aty me mik dhe me parti, nuk e meritojne.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?