Dy barazime në dy ndeshjet e fundit për Italinë në Ligën e Kombeve. Të kaltërit dhe Holanda u ndanë në paqe mbrëmjen e djeshme në Bergamo me rezultatin e barabartë 1-1. Pellegrini kaloi Italinë në avantazh por barazoi pak minuta më vonë Van de Beek. Polonia mundi 3-0 Bosnje Hercegovinën dhe mori kryesimin e grupit 1 në Ligën A.
Grupin 2 të Ligës A e kryeson Belgjika që mposhti 2-1 Islandën në transfertë falë dy golave të shënuar nga sulmuesi i Interit Lukaku. Me 9 pikë belgët mbajnë pozicionin e parë ndërsa pas tyre renditet Danimarka.
Danezët bënë surprizën duke mposhtur Anglinë 1-0 në transfertë. Në kuotën e 7 pikëve skandinavët i dërgoi Eriksen që ktheu në gol një penallti.
Franca së bashku me Portugalinë janë në bashkëkryesim të grupit 3 të Ligës A. Kampionët e botës në fuqi e mposhtën sërish Kroacinë këtë herë në Zagreb me rezultatin 2-1 dhe ngjiten në kuotën e 10 pikëve. Dy yjet e skuadrës Grizmann dhe Mbappe ishin autorët e golave për ekipin e Deschamps.
Tek Portugalia si Cristiano Ronaldo u “vesh” Diogo Jota. Futbollisti i transferuar së fundmi tek Liverpool shënoi dy nga tre golat në fitoren 3-0 të luzitanëve ndaj Suedisë duke bërë që mungesa e Ronaldos të mos ndihej.
Pas një sërë ndeshjesh negative Kosova më në fund arriti një rezultat të pranueshëm. Dardanët barazuan pa gola në Athinë ndaj Greqisë ku portieri Muric priti edhe një penallti në pjesën e parë. Kosova me vetëm dy pikë mban vendin e tretë në grupin 3 të Ligës C/ Përgatiti Andi kapxhiu.