Skalitje e domosdoshme njerëzore në një metro’

16 Nëntor 2023, 19:32| Përditesimi: 18 Nëntor 2023, 07:27

  • Share

Metropolet janë qendrat më të dobishme për skalitjen qytetare të banorëve të saj. Herët a vonë, të gjithë do të ishte mirë ta masin veten me një metropol, për të kuptuar se kush janë, si janë dhe përmasat që kanë. Hapsirat, ritmi, përballimi individual i jetës, janë prova të forta.

Por vendi akoma më i përshtatshëm është metro’-ja, ky mjet magjik e demokrat i qyteteve të zhvilluara, ku ngjitur, ngjeshur, në orë të caktuara të ditës, qëndron bashkë vetë globi i tërë. Metro’-ja mbledh në një vagon, në karriget afër me njëra-tjetrën, banorë nga Pakistani, Shqipëria, India, Italia, Rusia, Ukraina, Peruja, Uruguaj, Argjentina, Afganistani, Tajlanda, Filipinet, Maroku, Tanzania, SHBA-të, Anglia, Franca... Mendoni një cept të globit dhe as mos e shkoni nëpër mend se në atë metro’ qytetare nuk do të ketë një përfaqësues.

Në metro’, nuk mblidhen bashkë vetëm kombësi e raca, por edhe profesione: nga avokati veshur chic tek punëtori që mban akoma veshjet e punës me pluhur e llaç, te sportisi me çantën e pishinës, të futbollit, të tenisit, te mamaja e mërzitur apo e gëzuar, te i dehuri pa ekuilibër apo te njerëz që kanë lindur të lumtur, por pa ndërgjegjen se ku dhe si po jetojnë. Në metro’ janë të moshuar, fëmijë, barbonë apo fotomodele me krijimet më të fundit të modës. Në metro’ ka artistë dhe keqbërës që rrinë pranë e pranë. Aty egoja e gjithësecilit zerohet, bëhet aq e ngushtë dhe e vogël, saqë në çdo sekondë, ajo turmë e stërmadhe udhëtarësh mund të vërë në diskutim njësoj, një mbret, apo një lypsar. Frymëmarrja jote mbaron, aty ku nis ajo e tjetrit (edhe në kuptimin real të fjalës) dhe kufijtë e secilit nuk të leverdis të mos i respektosh.

Në metronë e një metropli e kanë të domosdoshme të kalojnë ditët edhe disa nga bashkëqytetarët tanë. Sidomos disa që e shohin veten në qendër të botës vetëm e vetëm se nuk kanë mundur të maten asnjëherë me madhështinë e saj. Ata, gabimisht, ndjehen superiorë përballë të tjerëve shqiptarë, përballë drejtësisë, përballë ligjit. Disa prej bashkëatdhetarëve tanë kanë nevojë të ridimensionohen dhe këtë ridimensionim mund ta kryejnë vetëm në botën e qytetëruar dhe me mjetet e qytetëruara dhe demokratike të saj.

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?