Skandal me rrogat në universitet private! Pagat për profesorët deklarohen të njëjta me ato të rojeve dhe punëtorëve të krahut

23 Dhjetor 2021, 14:37| Përditesimi: 23 Dhjetor 2021, 16:22

  • Share

Zbulimi i të dhënave personale për më shumë se 637 mijë të punësuar në Shqipëri, nuk është i vetmi skandal. Në databass-ën që ka qarkulluar në rrjetet sociale, të cilën edhe Report TV e disponon, bien në sy nën-deklarimet me pagat për profesione, që në vend janë të mirë-paguara.

Përpara syve të Tatimeve, që ka përgjegjësinë për të kontrolluar dhe ndëshkuar subjektet që kryejnë informaliteti në punësim, në rastin konkret për mos deklarim të saktë të pagave, shkeljet janë të mëdha.

Profesioni i pedagogut, që klasifikohet i mirë-paguar në vend, ku pagat e të cilëve janë në shtet mbi 100 mijë lekë, në privat ndodh krejt e kundërta.

Nëpërmjet një hulumtimi të thjesht mbi deklarimet e pagave, vihet re se pedagogët, asistent pedagogët, lektorët, sekretarët dhe punëtorët e krahut në një universitet privat në Tiranë marrin të njëjtën pagë, që është ajo minimale prej 30 mijë lekësh. E njëjta pagë deklarohet si për pedagogët me kohë të plotë ose të pjesshme ashtu edhe me pedagogët e dy-punësuar.

Në një tjetër universitet privat pedagogu i arsimit të lartë që rezulton i dy-punësuar, paguhet me 27 mijë lekë në muaj, ndërsa punëtorët e krahut dhe rojet e universitetit kanë pagë mujore 41 mijë lekë. Pikëpyetja që ngrihet është nëse administrata tatimore ka kryer kontrolle në këto institucionet dhe a ka marrë masa për informalitetin që kryhet??

Në Universitetin e tretë të marrë në shqyrtim vihet re se dekani merr më pak se një pedagog i dy-punësuar. Konkretisht dekani 70 mijë lekë, ndërsa pedagogu i dy-punësuar merr 76 mijë lekë.

Pedagogët është një nga rastet flagrante të informalitetit, por e njëjta skemë është edhe për profesione të tjera si laborantët me pagë 44 mijë lekë, jurist me 42 mijë lekë apo drejtor finance 42 mijë lekë.

Ndërsa në kompanitë e ndërtimit në shumë raste, vihet re se të gjithë punonjësit deklarohen me të njëjtën pagë, prej 42 mijë lekësh, aq sa pedagogët e një universiteti privat, dhe mësuesit e disa shkollave në Elbasan.

Me pagë minimale prej 30 mijë lekësh në databassën e tatimeve, rezultojnë edhe kontabilistët e firmave, ekonomistët, menaxherët e shitjeve, menaxherët e teknologjisë së informacionit, drejtorët apo administratorët e ndërmarrjeve të ndryshme, juristët, avokatët, specialistët e marketingut, regjisorët e TV, gazetar të medieve, spiker e folës apo edhe redaktorët.

Por pse ndodh evazioni tatimor me pagat?

Shkaku kryesor është shmangia e taksave. Pagat deri në 30 mijë lekë, nuk kanë tatim mbi të ardhurat pasi është rroga minimale. Ndërkohë sa i takon pagave që nën deklarohen për të dypunësuarit shmangia bëhet për të paguar më pak në momentin kur plotësohet deklarata individuale e të ardhurave në muajin prill të çdo viti.

Duke qenë se me ndryshimet ligjore të miratuara në ligjin për tatimin mbi të ardhurat që ka hyrë në fuqi gjatë vitit 2020, detyron të gjithë të dypunësuarit të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave nga paga dhe shpërblimet që kanë marrë gjatë vitit paraardhës. Në këtë moment të gjithë të dypunësuarit duhet të bashkojnë pagat që marrin nga dypunësimi, apo trepunësimi dhe të paguajnë tatimin e rivlerësuar.

Konkretisht nëse një i punësuar merr tek të dyja punët nga 30 mijë lekë, nuk paguan tatim, por në momentin e deklarimit në fund të vitit ai do të paguaj 13% tatim, pasi bashkohen pagat 30+30= 60 mijë lekë. E njëjta gjë ndodh edhe për pagat e tjera në vlerë më të lartë.

Shembulli tjetër: Në rast se i dy-punësuari ka marrë 100 mijë lekë nga njëra punë dhe 60 mijë lekë nga puna tjetër, në total për të dyja pagat në vit ai paguan 156.000 lekë tatim. Ndërsa kur bëhet bashkimi i pagave tatimi rivlerësohet dhe paguan 214.800 lekë në vit.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 24/12/2021 04:12

    Dhe shteti shtyn e fal taksat,gjobat e detyrimet nje here ketu e njehere aty !PO KLSH ku eshte?

    Përgjigju
  • TAFA: 23/12/2021 19:38

    KJO PRA ESHT SHQIPERIA NUK PAGUAJNE ATO QE KANE DHE PAGUAN POPULLI........PEDAGOGE MJEK AVOKATE POLITIKANE ETJ ETJ NUK PAGUAJNE .ZOTI JA DHENTE MBAS QAFE

    Përgjigju
  • Lui: 23/12/2021 16:55

    Ja qe e paska dhe nje te mire ky publikimi i pagave.., hahah

    Përgjigju
  • Zysha: 23/12/2021 15:22

    Po pra, te mira pagat e pedagogeve. S'jane hic te mira, pa doktorature jane me pak se shkolla e mesme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?