Skandal me zgjedhjet në FSHF, kandidati për shoqatën rajonale të Fierit: Më kanë mbyllur zyrën, penalizohem se mbështetem nga Shakohoxha

Gara për presidentin e ri të FSHF-së është kompromentuar ende pa u përcaktuar data e zgjedhjeve. Në Fier ish-trajneri i Apolonisë Elidon Demiraj është penguar të kandidojë për kryetar të shoqatës rajonale, një institucion që ka të drejtë vote në asamblenë zgjedhore për president. Ashtu siç e kërkon procedura Demiraj ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin online, por për Report TV ai tregon se e ka të pamundur që ta bëjë këtë edhe fizikisht, pasi kryetari aktual nuk ndodhet në zyrë prej ditësh.

“Prej dy ditësh ka mbyllur zyrën, ka mbyllur telefonin dhe e kam patur të pamundur për t’ia dorëzuar personalisht,”-u shpreh Elidon Demiraj, ish-trajner i Apolonisë.

Demiraj shprehet se ka kërkuar ndërhyrjen e FSHF-së për këtë situatë, por ka marrë vetëm premtime, në një kohë kur sot ka skaduar afati për dorëzimin e dokumentacionit fizikisht.

“Unë jam munduar të komunikoj edhe me juristin e federatës për këtë arsye. Më ka premtuar se do më ndihmojë të më lidhë me përgjegjësin e zyrës Maksim Tegun. S’di çfarë të them, jam pa fjalë që këto gjëra të ndodhin në 2022,”-tha Elidon Demiraj.

Ish-trajneri i Apolonisë pretendon se po penalizohet për shkak se mbështetet nga Dritan Shakohoxha, kundërshtari i Armando Dukës në zgjedhjet për president.

“A mbështetem apo jo nga Shokohoxha kjo pak rëndësi ka. Çdo njeri është i lirë në këtë vend që të kandidojë për diçka. Nuk mund t’i mohosh garën askujt,”-tha ai.

Në fund Demiraj thotë se nuk do dorëzohet, por çështjen do ta ndjekë në rrugë ligjore.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?