DORTMUND - Një episod i pazakontë ka tronditur ambientin e Borussia Dortmund. Mediat gjermane raportojnë se pas barazimit 3-3 ndaj St. Paulit në Hamburg, tensionet shpërthyen mes babait të Jobe Bellingham dhe trajnerit Robert Kovaç.
Gjithçka nisi në pushimin mes pjesëve, kur tekniku vendosi ta lërë në stol 19-vjeçarin anglez për shkak të paraqitjes së dobët në 45 minutat e para. Ky vendim irritoi familjen e lojtarit, i cili vetëm këtë verë u transferua te verdhezinjtë për 30 milionë euro nga Sunderland.
Sipas “Sky Sports Germany”, prindërit e mesfushorit, Mark dhe Denise Bellingham, pritën ekipin në hyrje të tunelit pas përfundimit të ndeshjes, ku pati një ballafaqim verbal me drejtorin sportiv Sebastian Kehl dhe trajnerin.
Ndërkohë, “BILD” zbulon se situata u tensionua më tej kur Mark Bellingham kërkoi një takim të drejtpërdrejtë me trajnerin Kovaç, duke shprehur hapur pakënaqësitë e tij. Pas këtij episodi, drejtuesit e Borussia Dortmund vendosën që familjarët e Bellingham të shpallen “non grata” në dhomat e zhveshjes, duke u ndaluar hyrjen në zonat e brendshme të ekipit.
Ky incident ka ndezur debat në Gjermani, pasi konsiderohet i rrallë për kulturën sportive të vendit, duke shtuar edhe më shumë presion mbi të ardhmen e talentit të ri te Dortmundi.
Komente
