Karim Khan

Skandal në Gjykatën Ndërkombëtare Penale: Kryeprokurori Karim Khan akuzohet për ngacmim seksual

10 Nëntor, 20:25| Përditesimi: 10 Nëntor, 20:37

  • Share

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) do të nisë një hetim të jashtëm dhe të pavarur ndaj prokurorit të saj të përgjithshëm, Karim Khan, i cili akuzohet për ngacmim seksual,

Sipas agjencisë së lajmeve amerikane Associated Press, kjo do të rihapte një rast që organi i kontrollit të brendshëm të GJNP-së e kishte mbyllur brenda vetëm pesë ditëve.

Khan i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se ato janë pjesë e një fushate dezinformimi që synon të diskreditojë ndjekjen penale të Gjykatës kundër Izraelit për krimet e luftës në Gaza.

Një hetim i AP ka zbuluar se dy punonjës të gjykatës kryesore ndërkombëtare për krimet e luftës, të cilëve viktima u kishte besuar rastin, e denoncuan Khan-in në maj.

Akuzat erdhën pak para se prokurori të kërkonte një urdhër arresti kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu; ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, i shkarkuar nga Netanyahu këtë javë; dhe tre liderëve kryesorë të Hamasit në Rripin e Gazës, të vrarë nga Izraeli në muajt pasues.

Sipas dokumenteve të ndara me organin e kontrollit të gjykatës dhe të shqyrtuara nga AP, gjatë një udhëtimi jashtë vendit, Khan i kishte kërkuar një punonjëseje të tij të flinte në dhomën e tij dhe më pas e kishte “prekur” atë.

Në orën 3 të mëngjesit, ai u shfaq në dhomën e saj dhe trokiti në derë për 10 minuta. Khan raportohet se udhëtonte shpesh me gruan, pasi e kishte transferuar në zyrën e tij nga një departament tjetër.

Pas raportimeve, organi i kontrollit të brendshëm të gjykatës e pyeti punonjësen. Megjithatë, sipas AP-së, gruaja zgjodhi të mos bënte një padi, duke humbur besimin se gjykata do të merrte masa konkrete. Karim Khan nuk u mor në pyetje dhe hetimi u mbyll brenda pesë ditësh, me një sugjerim për të minimizuar kontaktet me gruan.

Hetimi i jashtëm u miratua këtë javë gjatë një mbledhjeje të organit të kontrollit të Gjykatës, Asamblesë së Shteteve Palë në Statutin e Romës, por nuk është ende e qartë se kush do ta kryejë atë.

Rasti mund të trajtohet nga forcat e rendit evropiane ose nga organi i kontrollit të brendshëm të Kombeve të Bashkuara, por mund të hasë në konflikte interesi, pasi gruaja e Khan ka punuar për OKB-në.

Fushata e dezinformimit kundër GJNP-së

Sipas Khan-it, akuzat për ngacmim janë pjesë e një fushate dezinformimi kundër tij. Një kolegj gjyqtarësh i GJNP-së po vendos nëse do të miratojë kërkesën e tij për arrestimin e kryeministrit izraelit dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes për krime lufte kundër njerëzimit gjatë pushtimit izraelit të Rripit të Gazës.

Gazeta britanike The Guardian raportoi këtë verë se në dhjetë vitet e fundit, agjencitë izraelite të inteligjencës kanë synuar stafin e lartë të GJNP-së, duke përfshirë mbajtjen nën mbikëqyrje të paraardhëses së Khan-it dhe paraqitjen në shtëpinë e saj me zarfe plot para për ta diskredituar atë.

Shtatorin e kaluar, pas hapjes së një hetimi për mizoritë ruse në Ukrainë, GJPN pësoi një sulm kibernetik shkatërrues që pengoi stafin të punonte për javë të tëra.

Gjithashtu, ajo punësoi një praktikant, i cili më pas u akuzua penalisht në Shtetet e Bashkuara për të qenë një spiun rus./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?