Një skandal ka përfshirë Maqedoninë e Veriut. Mediat vendase raportojnë se sot, 1 prill, është arrestuar pjesëtari i sigurimit të kryeministrit, Hristijan Mickoski për zbulim të sekretit zyrtar. Angel Saramakov është dërguar në paraburgimin e Shkupit pasi dyshohet se në këmbim të parave ka ndarë sekretet zyrtare që posedonte, me anëtarët e klanit mafioz në Gërçec. Lagje, e cila njihet për praninë e grupeve të krimit të organizuar.
Ai do të qëndrojë 30 ditë paraburgim. Prokuroria njoftoi se Saramakov tashmë është në paraburgim dhe kanë ndarë edhe detaje se si personi ka dashur të fitojë para duke i dorëzuar dokumentet zyrtare.
“I dyshuari në cilësinë e personit zyrtar, në mbrëmjen e datës 30.3.2025, në parkingun përballë një hoteli në Veles, është takuar me një person të pathirrur– dëshmitar në procedurë dhe i ka treguar dokumentet zyrtare të MPB-së, të cilat përbëjnë sekret zyrtar. Më pas e ka lejuar dëshmitarin t’i regjistronte të njëjtat dokumente, duke i treguar se cili dokument për çfarë është. Në këtë mënyrë, i dyshuari për lakmi, e me qëllim publikimin e tyre në rrjetet sociale, ka vënë në dispozicion dokumente zyrtare që përbëjnë sekret zyrtar, për të përfituar një shumë prej 50.000 eurosh nga personi të cilit i referoheshin dokumentet”, njoftojnë nga PTHP NKOK.
Drejtori i burgut në Shutkë konfirmoi për Alsat se Saramakovi është dërguar në mëngjes atje për të vuajtur dënimin e paraburgimit dhe sipas veprës penale për të cilën akuzohet, ai përballet me burgim prej më së paku një deri në maksimum 20 vjet.
Nuk dihet se çfarë informacioni u ka dhënë dhe nëse ka lidhje me kreun e qeverisë, raportohet në media.
Por, kjo nuk është hera e parë që një pjesëtar i sigurimit të Mickoskit përfshihet në një incident të rëndë. Vetëm pak muaj më parë, shefi i sigurimit të tij, Ivica B., ka sulmuar fizikisht një koleg polic, i cili ishte në detyrë në orët e para të mëngjesit. E gjitha ndodhi kur Policia u fut për kontroll në një lokal të njohur të Shkupit, që dyshohet se ishte bazë për trafikun e drogës. Ivica B., i cili ishte i pranishëm në lokal, tentoi të prishte aksionin dhe sulmoi kolegun.
Komente
