Bota

Skandal në Rusi! E dashura sekrete e ministrit të Mbrojtjes udhëton me avion luftarak

12 Korrik, 12:18| Përditesimi: 12 Korrik, 12:34

  • Share

Një skandal ka tronditur Kremlinin, pasi është zbuluar se një zyrtar i lartë i afërt me Putinin ka përdorur avionë ushtarakë me vlerë 100 milionë dollarë për të transportuar të dashurën e tij nëpër Rusi.

Maria Shalaeva, 23 vjeç, publikoi në rrjetet sociale se kishte fluturuar me një avion ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes të tipit Ilyushin-76, për një fundjavë në Rostov mbi Don, vendndodhja e komandës së forcave të armatosura ruse. Një media e pavarur përmendi si të dashurin e mundshëm ministrin e ri të Mbrojtjes, Andrei Belousov, 66 vjeç, të cilin e quajnë një gruar. Fotografia e tij shfaqet në një nga videot që ka publikuar Shalaeva.

Në një nga pamjet duket qartë se i dashuri i saj ka flokë gri – ashtu si Belousov – i cili më parë ka qenë burokrat në Kremlin para se të bëhej ministër i Mbrojtjes. Megjithatë, ekzistojnë dyshime se burri në video mund të jetë më i ri në moshë. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Belousov-in apo për ndonjë tjetër zyrtar të lartë rus, zbulimi ka shkaktuar zemërim të madh për një shkelje të mundshme sigurie.

Sipas burimeve ushtarake, shërbimet sekrete kanë vizituar në vendin e punës “sugar daddy-n” e Kremlinit, pas postimeve të Shalaevës.

Shalaeva, nga qyteti Jekaterinburg, kishte mburrur në postimet e saj – të cilat më pas i fshiu – se po udhëtonte për në Rostov, një qytet që ajo kishte vizituar më parë me të dashurin. Aeroporti i qytetit, megjithatë, është i mbyllur përveç për fluturimet ushtarake. Ajo tha se i dashuri i kishte prenotuar edhe një takim për manikyr në qytet.

“Kush thotë se avionët nuk fluturojnë në Rostov? Fluturojnë – por jo për të gjithë. Gjithsesi, u ktheva sërish në Rostov. Nuk po e lë dot pas,” shkroi ajo. Ajo e përshkroi të dashurin si “një njeri i Kremlinit… besueshmëria 200%”.

Ajo pranoi gjithashtu se e kishte marrë edhe djalin e saj 3-vjeçar, Tim, në udhëtim – duke nxitur spekulime se ai mund të jetë djali i të dashurit të saj. “Në moshën trevjeçare, ai ka fluturuar tashmë me një avion ushtarak,” shkroi ajo. “Tim u ul në kabinën e pilotit dhe madje mori patatina nga piloti. U pritëm ngrohtësisht. Tim shijoi gjithë udhëtimin duke parë vizatime.”

Shalaeva thotë se i dashuri e quan “yebobo” (e çmendur) dhe ndonjëherë e pyet nëse ka marrë ndonjëherë goditje në kokë. Ajo këmbëngul se ai nuk është ushtarak dhe as pjesë e FSB-së, por shton se e di mirë se kush është, thjesht “nuk më lejohet ta them.”

Belousov, ekonomist dhe teknokrat civil, nuk është ushtarak i karrierës dhe nuk ka gradë ushtarake, por autoriteti i tij është i barabartë me atë të gjeneralëve kryesorë rusë.

Në Rostov, Shalaeva, djali i saj dhe burri misterioz u pritën nga një makinë shumë luksoze – që dyshohet të ketë qenë një Maybach.

Nexta, një media e pavarur me origjinë nga Bjellorusia dhe me qendër në Varshavë, e ka lidhur publikisht Shalaevën me Belousov-in, por pa ofruar prova konkrete. “Në postime private, Shalaeva lë të kuptohet se është vetë Belousov, ministri i ri i Mbrojtjes së Federatës Ruse,” raportoi Nexta. “Ministri i Mbrojtjes fluturon të dashurën e tij me avion ushtarak.”

Mediat lokale në Rostov ishin të parat që raportuan për skandalin, pa përmendur emra.

Gjeneral majori në pension, Vladimir Popov, u shpreh prerazi: “Të gjithë do të identifikohen dhe do të ndëshkohen.” Ai theksoi se në fund të fundit, përgjegjësinë për këtë fluturim e mban vetë ministri i Mbrojtjes. “Nëse kjo arrin deri te ministri, pres që ai të reagojë ashpër për këtë mungesë mbikëqyrjeje. Dhe nga aty, ndëshkimi do të zbresë më poshtë.”

Andrey Medvedev, bloger pro-Kremlinit dhe analist ushtarak, shtoi: “Departamenti i Kundërzbulimit Ushtarak ka shumë për të bërë.”

Ai shkroi: “Mund ta imagjinoj sa shumë informacion marrin SBU-ja (shërbimi sekret ukrainas) dhe agjencitë perëndimore vetëm nga vëzhgimi i rrjeteve sociale. Në një foto të postuar nga kjo vajzë e pamatur, gjen plot detaje për të kuptuar se cilat avionë fluturojnë për në Rostov dhe kush i organizon ato udhëtime.”

Ndërkohë, Kremlini po përballet me akuza për fshehjen e vdekjes së një ministri rus të shkarkuar, pasi janë shfaqur shenja të mundshme torture në trupin e tij, vetëm 24 orë para vetëvrasjes së pretenduar.

Roman Starovoit, i cili ka shërbyer si ministër i Transportit i Putinit për më pak se një vit, u shkarkua nga posti më 7 korrik – vetëm disa orë përpara se të gjendej i vdekur. Kanale Telegrami të lidhura me forcat e sigurisë ruse raportuan se shkaku i vdekjes ishte vetëvrasje me armë zjarri. Por një media e pavarur ruse tani raporton se ai ishte rrahur përpara se të vdiste./ The Sun

K.M/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?