Piloti kroat dhe e dashura e tij

Kosova & Rajoni

Skandal spiunazhi në Kroaci, arrestohet piloti ushtarak dhe e dashura e tij nga Kosova! Dyshohet se punonin për Serbinë

27 Gusht, 18:47| Përditesimi: 27 Gusht, 18:48

  • Share

Dy persona në Kroaci janë arrestuar nën akuzën për spiunazh në favor të Serbisë. Në pranga ka rënë një pilot i Forcave Ajrore të Ushtrisë Kroate, J.I., dhe partnerja e tij A.M., nga Kosova, shtetase serbe nga Mitrovica e Veriut.

Sipas informacioneve të medias kroate Index, hetimet po zhvillohen në bashkëpunim midis policisë civile dhe asaj ushtarake, ndërkohë që në rast është përfshirë edhe agjencia ndërkombëtare Europol.

Dyshohet se piloti i helikopterit ushtarak i ka transmetuar informacione të ndjeshme partneres së tij, e cila më pas i ka dërguar ato te partia “Lista Serbe” në Kosovë.

Të dy janë marrë në pyetje dhe pritet vendimi nëse do të vendosen në paraburgim. J. I., i cili ka shërbyer më parë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), dyshohet se i ka zbuluar partneres informacione konfidenciale për lëvizjen e trupave të KFOR-it si dhe për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, përfshirë komunën e Zubin Potok.

Sipas hetuesve, informatat përfshinin gjithashtu të dhëna për lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022 deri më sot, si dhe për angazhimet dhe vendndodhjen e njësive të KFOR-it.

Po ashtu, çifti dyshohet për shkëmbim informacioni lidhur me transportin e Dejan Pantiqit, një ish-polic kosovar i arrestuar për pjesëmarrje në sulmet ndaj përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut.

Pas arrestimit të Pantiqit në dhjetor 2022, shpërthyen protesta në veriun e Kosovës, me bllokada dhe barrikada në rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Meqë Kosova nuk disponon helikopterë të vet, autoritetet kërkuan ndihmën e KFOR-it për ta transferuar Pantiqin në një institucion tjetër. KFOR është i vetmi mekanizëm në rajon me kapacitet për transportin ajror të personave të ndaluar apo të plagosur.

Piloti kroat, i cili ka marrë pjesë në misione humanitare dhe operacione shpëtimi, përfshirë edhe Afganistanin, dyshohet se i ka kaluar informacione të ndjeshme partneres të tij që mund të kenë cënuar sigurinë kombëtare dhe stabilitetin në rajon.

Partnerja e pilotit kroat ka punuar më herët për një kompani të huaj në Serbi dhe është njohur në qarqet mediatike si gazetare nga Mitrovica e Veriut. Ajo është sociologe me profesion dhe ka vizituar disa herë Kroacinë më parë.

Çifti është arrestuar më 25 korrik të këtij viti, por çështja është bërë e ditur së fundmi.

Ndërkohë që piloti ndodhet në paraburgim, partnerja e tij është dëbuar nga Kroacia dhe është vendosur në qendrën e pritjes për të huajt në qytetin Trilj.

Dyshohet se hetuesit kanë gjetur më vonë komunikime komprometuese në telefonat e tyre, të cilat tani shihen si prova nën dyshimet për spiunazh në favor të Serbisë.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?