Partia Demokratike thotë se tenderi abuziv 500 milionë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për dizejnimin e menusë së 100 fshatrave, u anulua vetëm pas presionit publik. Në një deklaratë për mediat, deputeti Arbi Agalliu thotë se SPAK ka prova për të vënë para drejtësisë kreun e Fondit, Dritan Agollin, në kushtet kur ka dyshime se fituesi I tenderit ishte paracaktuar dhe është shkelur ligji për prokurimin publik për kriteret e vlerësimit.
"Disa javë më parë ne denoncuam tenderin prej 500 milionë lekësh që Fondit Shqiptar i Zhvillimit ka dhënë për përgatitjen e një menuje tradicionale. Bëhet fjalë për një tender për hartimin e menusë së projektit të “100 fshatrave”. Tender i paracaktuar për t’iu dhënë djalit të drejtorit të FSHZH, Dritan Agolli që ka bërë tenderin. Komisioni i Prokurimit Publik thotë se ka anuluar tenderin abuziv 500 milionë lekësh të fondit shqiptar të zhvillimit për dizenjimin e menusë së 100 fshatrave. Nëse nuk do të ishte presioni publik pas publikimit të fakteve se si Fondi Shqiptar i Zhvillimi kishte paracaktuar fituesin e tenderit, ky tender nuk do të ishte anuluar dhe paratë e shqiptarëve do të përfundonin në xhepat e pushtetarëve të korruptuar. Por po kështu dhe nisja e hetimit nga SPAK ka nxitur Komisionin e Prokurimit Publik të heqë përgjegjësinë ligjore. Në arsyetimin e tij, komisioni ka faktuar se kriteret e vlerësimit teknik nuk janë në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik, çka është një provë më shumë për SPAK, për të çuar para drejtësisë mikun e Ramës, Dritan Agolli", tha ai.
Deputeti Agalliu tha se fshatrat s’kanë rrugë, drita e ujë, s’kanë asnjë investim të kryer apo planifikuar, qeveritarët e korruptuar duan të vjedhin paratë e tyre përmes tenderëve për menu.
"Ne inkurajojmë SPAK të çojë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar që shpërdorojnë taksat e qytetarëve më të varfër në Evropë, me skema të tilla si kjo menu 500 milionëshe. Njerëzit e ndershëm të këtij vendi vuajnë varfërinë e krijuar nga korrupsioni i kudondodhur nga braktisja e qeverisë në ditët e tyre më të vështira, siç ishte tërmeti, pandemia e tashmë dhe çmimet e rritura të ushqimeve, të karburantit, ndërsa qeveria e ka mendjen si të përfitojë nga një listë gatimesh me vlerë prej 500 milionë lekësh, deri te megaskandali i inceneratorëve, dhe është kthyer në armikun më të egër të mirëqenies së shqiptarëve. Lufta ndaj korrupsionit është një prioritet kombëtar, po varfëron çdo ditë shqiptarët dhe po shkatërron ekonominë dhe si e tillë duhet të trajtohet nga institucionet e drejtësisë", përfundoi deputeti i PD.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vënë nën hetim kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollin, pas zbulimit të skandalit se i dha tenderin 400 mijë dollarë kuzhinierit që punon me djalin e tij Alfio Rrotanit. Mësohet se Agolli po hetohet nga SPAK për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.
SPAK ka sekuestruar dosjen e këtij tenderi dhe ka urdhër bllokimi për bankat për të kaluar transfertën dhe nuk dihet nëse 400 mijë dollarëshi është kaluar apo është vetëm vlera e tenderit. Dyshohet se paratë kanë kaluar fiktivisht te Rrortani dhe pasi kompania e tij ka fituar tenderin, paratë mund të jenë paguar në formë e ryshfetit te Flladi Agolli.
palle raku komplet
Përgjigju