TIRANË- Bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, ka gjetur një tjetër gjyqtar në sistemin që po përmbyset nga Vetingu, për të vijuar luftën e saj të paprecedentë për të kontrolluar ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, jashtë vullnetit kompanisë koncesionare TIA, pasi ka humbur tenderin për menaxhimin e këtyre ambienteve si dhe në kushtet kur kontrata me TIA-n i ka mbaruar në 27 gusht 2019. Falë vendimit të gjyqtares Mimoza Kajo Brahimi, gruaja e Gjin Gjonit, arriti të siguronte në mes të gushtit rinovimin e licencës për Duty Free nga Ministria e Financave, por gjatë verifikimi më pas nga ministria, rezultoi që kompania e kishte gënjyer mbi disa informacione. Për këto arsye, në zbatim të ligjit, në datë 30 shtator, Ministria e Financave ia anuloi licencën.
Po ja që në lojë ka hyrë Avni Sejdi, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Në 8 tetor të 2019, gjyqtari Avni Sejdi, me një vendim të ndërmjetëm ka pranuar kërkesën e Albania Duty Free Distribution për pezullimin e efekteve të vendimit të Ministrisë së Financave për anulimin e autorizimit për ushtrimin e aktivitetit në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, deri në zgjidhjen me themel të çështjes. Pas urdhrit të 30 shtatori për anulimin e licencës, Albania Duty Free Distribution ka vënë në lëvizje Gjykatën Administrative, ku ka gjetur ndihmën e gjyqtarit Avni Sejdi. Ky i fundit në vitin 2005 ka blerë një apartament në Tiranë me vlerë 4 720 000 lekë, ku si burim të ardhurash për të justifikuar blerjen e apartamentit, ka deklaruar edhe 14 mijë euro dhuratë nga vëllezërit. Në vitin 2009, gjyqtari Avni Sejdi deklaron 120 000 lekë të ardhura nga puna e bashkëshortes si dado e pasiguruar. Ashtu si shumë gjyqtarë të tjetër, edhe gjyqtari Sejdi ka deklaruar makinë me një çmim të caktuar, ndërsa e ka shitur më shtrenjtë disa vite më vonë. Në realitet ndodh e kundërta, pasi me kalimin e viteve makinave u bie vlera për shkak të përdorimit dhe amortizimit.
Vendimi dhe mesazhi
Vendimi i radhës i gjyqtarit Avni Sejdi pranë Gjykatës Administrative të Shkalleës së Parë për pezullimin e zbatimit të vendimit për anulimin e autorizimit për magazinë doganore “Duty Free”, është një vendim i cili vjen qartësisht në kundërshtim me nenin 202 dhe vijues të Kodit te Procedurës Civile dhe vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë, duke vijuar përsëri t’i japë masës së sigurimit të padisë efektet e pranimit të një kërkesë padie, çfarë është shprehimisht e ndaluar sipas vendimit nr. 10/2004 se Gjykatës së Lartë. Praktikisht duke pezulluar vendimin për anulimin e autorizimit, gjyqtari Avni Sejdi, ashtu si më parë gjyqtarja Mimoza Kajo kanë legjitimuar shoqërinë ADFD Shpk të vijoje aktivitetin në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi, pa një kontratë me TIA si edhe pa asnjë autorizim për të ushtruar veprimtari, por duke u bazuar vetëm në dy masa sigurimi gjyqësore. Këto masa nuk mundësojnë mbrojtën e një të drejte të rrezikuar, por vendosin palën kërkuese (këtë radhë kompania e gruas së Gjin Gjonit) në pozicionin që do të kishte sikur të fitonte procesin gjyqësor pas shqyrtimit në themel, pra paragjykojnë gjithë procesin e shqyrtimit gjyqësor të mosmarrëveshjes mes TIA-s dhe kompanisë së Elona Çaushit.
Avni Sejdi
Në 8 tetor të 2019, gjyqtari Avni Sejdi, me një vendim të ndërmjetëm ka pranuar kërkesën e Albania Duty Free Distribution për pezullimin e efekteve të vendimit të Ministrisë së Financave për anulimin e autorizimit për ushtrimin e aktivitetit në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, deri në zgjidhjen me themel të çështjes.
Mesazhi
Avni Sejdi, ashtu si më parë gjyqtarja Mimoza Kajo kanë legjitimuar shoqërinë ADFD Shpk të vijoje aktivitetin në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi, pa një kontratë me TIA si edhe pa asnjë autorizim për të ushtruar veprimtari, por duke u bazuar vetëm në dy masa sigurimi gjyqësore.