Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e detyruar ligjërisht që t’i anulojë licencën kompanisë së bashkëshortes së gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi (Albania Duty Free Distribution), për ushtrimin e aktivitetit tregtar në hapësirat Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Për të rinovuar licencën, kompania e znj. Çaushi i ka fshehur Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave informacionin për humbjen e tenderit për menaxhimin e këtyre ambienteve si dhe për mbarimin e kontratës me kompaninë koncesionare TIA, që menaxhon Aeroportin e Rinasit. Neni 644 i vendimit të qeverisë nr. 651, datë 10.11.2017, parashikon që ministri i përgjegjës për financat, anulon një autorizim për magazinë doganore private (duty free shop), në qoftë se autorizimi është dhënë bazuar në informacion të pasaktë ose të paplotë dhe kur personi, ndaj të cilit është dhënë vendimi, ishte në dijeni ose objektivisht duhej të ishte në dijeni që informacioni i dhënë ishte i pasaktë ose i paplotë. Çfarë ka ndodhur në rastin konkret? Ndërkohë që kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF) kishte fituar tenderin e shpallur nga TIA për menaxhimin e dyqaneve pa taksa, duke lidhur edhe kontratën në muajin korrik 2019, kompania Albania Duty Free Distribution e Elona Çaushit arrin në kohë rekord të rinovojë licencën për ushtrimin e aktivitetit tregtar në të njëjtët dyqane, duke vënë në rresht një gjykatëse, doganat dhe Ministrinë e Financave.
Për të rinovuar licencën, kompania e gruas së Gjin Gjonit ka paraqitur pranë doganave vetëm vendimin e gjykatëses Mimoza Kajo-Brahimi, e cila në mënyrë arbitrare vendosi sigurimin e padisë, pra për vijimin e përkohshëm të aktivitetit të duty free. Por, në kërkesën e Elona Çaushit anashkalohen dy elemente thelbësore. Konkretisht, kompania e Çaushit i ka fshehur doganave faktin e humbjes së tenderit për duty free me TIA, për të cilin është informuar në 22 shkurt 2019 nga TIA, si dhe mbarimin e kontratës me TIA në 27 gusht 2019 për dyqanet ku zhvillohet aktiviteti tregtar. Këto informacione të paplota dhe të pasakta bëjnë që rinovimi i licencës për Albania Duty Free Distribution duhet të anulohet, pikërisht pse është bazuar në një informacion të paplotë dhe të pasaktë. Ndërkaq, pika ‘b’ e nenit 635 të VKM nr. 651, datë 10.11.2017, parashikon që kompania, për të marrë licencën, duhet të paraqesë, përpos të tjerave, edhe dokumentet e pronësisë ose kontratës së qirasë për ambientin/godinën që do të përdoret për këtë qëllim, kontrata që në fakt po skadonte në data 27 gusht 2019, pra vetëm 11 ditë pas datës së rinovimit të licencës.
Vihet në lëvizje Ministria e Financave
Auditi i brendshëm në Ministrinë e Financave po verifikon ligjshmërinë e veprimtarisë së degës doganore në Rinas (aeroport), e cila monitoron edhe veprimtarinë tregtare në hapësirën Duty Free të aeroportit. Ndërkaq, Drejtoria Ligjore në Ministrinë e Financave po verifikon ligjshmërinë e procedurave të ndjekura për rinovimin e licencës së kompanisë së gruas së Gjin Gjonit, Elona Çaushi (Albania Duty Free Distribution), për të vijuar aktivitetin tregtar në Rinas, në një kohë kur tenderin për të ushtruar këtë për menaxhimin e së njëjtës hapësirë “Duty Free” në aeroport për 5 vitet e ardhshme e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF). Verifikimet po kryhen nëse ka pasur apo jo shkelje në vendimin për rinovimin e licencës, çka ka thelluar më tej konfliktin mes gruas së Gjin Gjonit dhe kompanisë koncesionare TIA, e cila ka një kontratë me shtetin shqiptar për menaxhimin e Aeroportit të Rinasit. Në mungesë së ministres së Financave Anila Denaj, licenca është firmosur nga zëvendësministri Elton Haxhi, në 16 gusht, pikërisht në kulmin e pushimeve verore dhe brenda 24 orëve pasi është bërë aplikimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Rinovimi është bazuar vetëm mbi vendimin e gjykatës që nuk përcakton asnjë detyrim për Ministrinë e Financave, dhe pa marrë parasysh situatën reale në të cilën ishte firma e familja Gjoni në raport me TIA.
Ministria
Ministria e Financave është e detyruar që t’i anulojë licencën kompanisë së bashkëshortes së gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, pasi në kërkesën për licencën e ka fshehur dy informacione vendimtare: kishte humbur tenderin për dyqanet Duty Free shop pranë Aeroportit të Rinasit, dhe kontrata e qirasë për ambientet i skadonte në 27 gusht 2019, pra pak ditë pas kërkesës për rinovimin e licencës
Vendimi
Neni 644 i vendimit të qeverisë nr. 651, datë 10.11.2017, parashikon që ministri i përgjegjës për financat, anulon një autorizim ose licence, në qoftë se autorizimi është dhënë bazuar në informacion të pasaktë ose të paplotë.
Neni 644 i vendimit të qeverisë nr. 651, datë 10.11.2017
Rreth vendimit të gjykatëses, nuk njoftohet TIA
Shoqëria Albania Duty Free Distribution shpk (ADFD) e Elona Çaushit ka patur një kontratë “koncesioni” me shoqërinë TIA, e cila i ka mundësuar të zhvillojë tregtinë e ‘Duty Free’ në zonën e tranzitit të Aeroportit Nënë Tereza të Tiranës. Kjo kontratë ka patur si afat të fundit datën 27.08.2019. Pavarësisht se kishte marrë pjesë në tenderin e shpallur nga TIA dhe ishte njoftuar që ne me 22.02.2019 se kishte humbur të drejtën e rilidhjes së kontratës, shoqëria ADFD ka paraqitur këtë kërkesë dhe i ka kërkuar gjykatës ta lejojë që të vazhdojë të ketë në dorë mjediset e aeroportit. Nga ana e saj, gjyqtarja Mimoza Kajo Ibrahimi e ka shqyrtuar këtë kërkesë, ndryshe nga gjyqi i drejtuar nga Arjan Aliaj, pa vënien në dijeni të palës së paditur, TIA,lëvizje kjo që duhet se ia ka bërë më të lehtë për të marrë vendimin në fjalë në favor të bashkëshortes së Gjin Gjonit praktikish pa asnjë kundërshtim në sallë. Pavarësisht përfundimit të kontratës me datë 27.08.2019, sipas gjyqtares Mimoza Kajo-Brahimi, ADFD duhet të vazhdojë të kryejë aktivitetin e saj në aeroport, edhe për një periudhë tjetër 5-vjeçare, jashtë vullnetit të TIA-s, e cila ndërkohë kishte lidhur një kontratë për të njëjtat ambiente me fituesen e tenderit, kompaninë amerikane ICDF. Në padinë e paraqitur në gjykatë, kompania e Elona Çaushit pretendon për tenderin e TIA për ‘se ky tender deri në momentin aktual nuk ka konkluduar me një fitues’. Por faktet konfirmojnë të kundërtën. Që ADFD është në dijeni të tenderit, se ka marrë pjesë, se ka humbur dhe që ka një fitues, këtë e konfirmon ne letrën e firmosur nga vetë Elona Çaushi me datë 05 korrik 2019, drejtuar TIA-s ku ajo shprehet: ‘’Ne morëm pjesë dhe humbëm. Morëm vesh nga partnerët tanë që ka fituar ICDF’’. Në padi pretendohet gjithashtu ‘se ADFD ka pasur marrëdhënie korrekte me TIA-n”. Për të hedhur poshtë këtë pretendim mjafton t’i referohemi një shkrese të TIA-së, të datës 31 maj 2019 ku e njofton ADFD për debinë e akumuluar që nga muaji tetor 2018 në shumën 156.163.77 EURO.