Eurodeputetja greke u largua nga burgu, ku ndodhej prej katër muajsh, mëngjesin e kësaj të premteje, e shoqëruar nga dy makina. Ajo mbërriti në shtëpinë e saj e shoqëruar nga babai i saj dhe avokati i saj Michalis Dimitrakopoulos. Duke buzëqeshur, Kaili nuk e fshehu entuziazmin e saj për lirimin, ndërsa do të qëndrojë në ‘arrest shtëpie’ nën mbikëqyrjen e një byzylyku.
“Faleminderit shumë, vajza ime po më pret. Lufta vazhdon me vendosmëri me avokatët e mi”, tha Eva Kaili jashtë shtëpisë së saj në Bruksel, ku ndodhet pas lirimit nga burgu dhe vendimit për ta vendosur në arrest shtëpie me monitorim elektronik.
Që prej 9 dhjetorit, burimet e IT-së të 10 punonjësve të parlamentit janë “ngrirë” për të parandaluar zhdukjen e të dhënave të nevojshme për hetimin. Katër të dyshuarit e arrestuar nga policia belge janë akuzuar për "pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion". Prokurorët në Greqi kanë ngrirë të gjitha pasuritë e ish zëvendës Presidentes së PE-së Kaili. Gjashtë persona u arrestuan si pjesë e hetimit mbi akuzat se Katari korruptoi zyrtarët e BE-së për të fituar ndikim. Dy u liruan më vonë, duke lënë në pranga vetëm 4 zyrtarë të Parlamentit Europian.