Një tjetër ligjvënës i BE është arrestuar pasi akuzohet si i përfshirë në skandalin e korrupsionit ‘Katargate’ që tronditi Parlamentin Evropian në dhjetor. Pas kërkesës së autoriteteve belge, policia italiane arrestoi Andrea Cozzolino në një klinikë në Napoli të premten.
Cozzolino bashkë me Marc Tarabella, një tjetër anëtar i Parlamentit Europian, akuzohen për marrje ryshfeti, akuzë që e mohojnë. Arrestimet vijnë pasi Parlamenti Evropian votoi për heqjen e imunitetit të Tarabellës dhe Cozzolinos javën e kaluar.
Ata gjithashtu janë përjashtuar nga grupi i socialistëve dhe demokratëve të qendrës së majtë.
Për skandalin ‘KatarGate’, janë arrestuar më parë Eva Kaili eurodeputete dhe ish zëvendës presidente e PE, bashkëshorti i saj Francesco Giorgi, ish eurodeputeti italian, Anonoi Panceri dhe babai i Eva Kailit.
Rasti flagrant mori emrin 'KatarGate' për shkak të përfshirjes së Katarit, pasi zyrtarët e këtij shteti paguan shuma të mëdha për të ndikuar në vendime politike dhe ekonomike. Në total nga operacioni i autoriteteve belge, u sekuestruan 1.5 milionë euro të përfituara në formë ryshfeti.