Një grup të rinjsh protestuan sërish pasditen e sotme para ministrisë së Shëndetësisë pas skandalit të zbuluar te spitali Onkologjik pak ditë më parë pasi prokuroria e Tiranës konfirmoi se po hetonte dy mjekë të këtij spitali dhe 5 bashkëpunëtorë të tyre pasi dyshohet se abuzonin në dëm të pacientëve me tumor.
Para godinës së ministrisë së Shëndetësisë, në rrugën e “Kavajës” ata vendosën një pankartë të madhe ku shkruhej "Ministria e vdekjes".
“Sipas OBSH-së shëndetësia falas ne na kushton më shumë se vendet e rajonit dhe Europës. Një qytetar shqiptar paguan nga xhepi 60% të vlerës së mjekimit të tij vetëm 40% e paguan shëndetësia falas”, tha një protestues.
Një nga temat që u përmend gjatë kësaj proteste ishte mungesa e ilaçeve.
“Institucioni që duhet të sigurojë kimiot është ministria e Shëndetësisë. Irinodekani një medikament i rëndësishëm që ka lënë pa mjekim personat që vuajnë nga kanceri. Pacientët shkojnë në spital dhe kthehen. Do t’ju telefonojmë iu thonë. Presin me muaj. Ku njeh kanceri listë?!
Pse nuk bëjnë prokurim të drejtëpërdrejtë për të siguruar këto medikamente. Vetëm për qytetarët nuk ka para. A pret kanceri tenderin?! Prokuroria duhet të hetojë dhe kjo ministre duhet të japë dorëheqjen" tha Osman Stafa.
Situatën e vështirë në Spitalin Onkologjik, krahas pajisjeve, ilaçeve e rëndojnë edhe rritja e numrit të pacientëve me tumore në afro 6 mijë raste të reja çdo vit, ndërsa Shqipëria i ka tashmë sëmundjet tumorale si shkakun e dytë më të madh për vdekshmërinë.
Kjo është protesta e tretë e organizuar pas zbulimit të skandalit me mjekët e spitalit të Onkologjikut ndërkohë javën e kaluar opozita thirri në interpelancë ministren e shëndetësisë Albana Koçiu.
Ndërsa Gjykata e Tiranës vendosi më 27 qershor 2024 nën dyshime për shpërdorim detyre në arrest shtëpie mjekun Edmond Gashi dhe famacistin Florian Marku-n si dhe në masën detyrim paraqitje pesë punonjës të spitalit publik dhe të një klinike private, si të dyshuar për abuzime me pacientët e Onkologjisë. Në radhët e të dyshuarve është edhe zëvendës drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi.
Ata dyshohen se kishin ngritur një skemë abuzimi në dëm të pacientëve të onkologjikut, duke u krijuar pengesa artificiale në spitalin publik dhe duke i drejtuar për qëllime përfitimi në klinika private, akuza të cilat ata nuk i kanë pranuar.
Aktualisht kjo është protesta e tretë që po zhvillohet pas skandalit në spitalin e Onkologjikut.