Skandali i Onkologjikut/ Të premten deputetët dëgjesë me ministren e Shëndetësisë e 2 drejtoresha! Debate në komisionin e Shëndetësisë

1 Korrik, 18:07| Përditesimi: 1 Korrik, 18:23

  • Share

Tirane-Ministria e Shëndetësisë, Drejtoresha e QSUT dhe shefja e shërbimit të Onkologjikut do të thirren në parlament për një dëgjesë në Komisionin e shëndetësisë ditën e premte, 5 korrik.

Vendimi u mor në mbledhjen e kësaj të hëne në komision, ku nuk munguan as debatet mes opozitës dhe mazhorances.  Deputetja e PD, Albana Vokshi e konsideroi skandaloz faktin që pacientët nuk bëjnë radioterapi pasi dera e dhomës bunker ku ndodhet aparatura e akseleratorit linear ka mbetur hapur, skandal që e denoncoi Report Tv.

“Pajisja e COBALT ka 3 vjet që lëshon rreze të rrezikshme. Si është situata me kurat, me pajisjet. Shumë prej tyre të pa njoftuar se nuk e kanë kurën gati. Duhet të ecim me ngjarjet që ndodhin. Janë shqetësime alarmante. Kurat duhet të jenë të bazuara në numrin e pacientëve. Është skandaloze gjendja tek Onkologjiku. Nuk janë mjekët. Janë pikat fundore. Janë ministrat. Të gjithë pjesa drejtuese e QSUT. Ish-drejtuesit duhet të jenë këtu. Shëndetësi falas nuk. Po jepen vuajte falas, vdekje falas. Asnjë nuk del të japë përgjigje. Reagoni ju që jeni mjekë. Është skandaloze kjo që po ndodh. Është prishur një derë dhe nuk mund të merret kura. Kush e ka fajin, duhet të gjejmë përgjegjësinë” tha Vokshi.

Por këto probleme për mazhorancën nuk janë vetëm të tanishme, por kanë ekzistuar në sistem prej 30 vitesh.

“Kjo shëmtia kriminale ka 30 vjet. Kanë qenë më të shumta në numër. Kryetare ju jeni një abuzuese e vërtetë se nuk leni të shprehim fjalën. Të tentoni ju ti jepni formë apo drejtim opinionit tim, mos u mundoni ta bëni” 

Ndërkohë skandali i zbuluar në spitalin e Onkologjikut u kthye në objekt debati mes deputetëve të këtij komisioni. 

Ora 15:47
Debat në komisionin e Shëndetësisë për skandalin te Onkologjiku! Zheni Gjergji: Jeni gënjeshtarë! Deputeti socialist: Jeni gërnetë e thyer

Komisioni i shëndetësisë u përfshi nga debatet lidhur me skandalin e Onkologjikut ku mjekët dhe pjesë të stafit ishin përfshirë në një skemë që orientonte pacientët në klinika private dhe nuk u ofrohej shërbim i plotë në shtet. Deputetët e opozitës kërkuan të zhvillojnë një dëgjesë me mjekët e onkologjikut në QSUT, për të cilën u vendos të premten.

Që në fillim të mbledhjes Albana Vokshi kërkoi të ndryshohej rendi i ditës dhe të diskutohej për çfarë ndodhi te Spitali Onkologjik ditët e fundit. Pas saj ndërhyri Ilir Metaj, që kërkoi që në fillim të mbahej 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë. Pas nderimit, Albana Vokshi rikërkoi ndryshimin e rendit të ditës.

Pjesë nga debatet:

Albana Vokshi: Sot ne duhet të bëjmë dëgjesë për çfarë ndodhi në Onkologjik. Ne kemi kërkuar prej kohësh të bëjmë dëgjesë për këtë dhe nuk e keni pranuar. Mjekët nuk kanë faj aty, se po mundoheni t’ua hidhni fajin mjekëve kur në fakt është sistemi juaj që e ka çuar punën në këtë pikë.

Ministrja, ish ministrja duhet të marrin përgjegjësinë duhet të pranojnë fajin se ata e kanë. E tha edhe Zëri i Amerikës, vetëm ju nuk e paskeni dëgjuar. Se shkon Kryeministri juaj dhe ua hedh edhe ai fajin mjekëve, edhe ju këtu vazhdoni avazin e tij.

Ilir Pendavinji fillon të flasë, ndërpritet nga Albana Vokshi dhe Zheni Gjergji.

Ilir Pendavinji tenton të flasë po ndërprerja vazhdon. Ka debat pa mikrofon.

Ndërhyn Klodiana Spahiu, që gjithashtu nuk lejohet të flasë nga Zheni Gjergji që e ndërpret.

Kërkon fjalën Ilir Metaj, sapo fillon të flasë ndërpritet nga Zheni Gjergji që i kundërshton sapo nis të flasë.

Ndërhyn Milva Ekonomi që i kërkon Zheni Gjergjit të mos ndërpresë kolegun.

Milva Ekonomi: E keni bërë zakon ndërprerjen tonë. Mjaft më se nuk vazhdohet kështu. Nuk është etike dhe mjaft e shkelët rregulloren.

Zheni Gjergji: Ndërpres sa herë që ju thoni gënjeshtra!

Ilir Metaj: Cili u ka mbushur mendjen që jeni Ministrja e të Vërtetës?

Zheni Gjergji: Atë e di unë, jam kryetare komisioni!

Milva Ekonomi: Po bëheni abuzuese komisioni.

Ilir Metaj: Ajo shëmti kriminale që  mori nje fytyrë këto ditë nuk u ngjiz këto ditë. Ajo ka qenë aty, qysh prej 30 vitesh, shumë më e madhe, por njësoj kriminale.

Ajo na kujton dhe një herë sa llum kemi për të pastruar. Ajo na tregon edhe se lopatat nuk mjaftojnë, buldozere më të fuqishem duhen për ti shkulur nga rrënjët që keni ngulur ju.

Se këto fytyra që shfaqen sot kanë qenë aty dhe me më shumë shokë qyshkur në pushtet ishit ju.

Dhe e bënin pazarin e ndyrë në ambientet edhe më të ndyra të spitaleve që vetëm emrin kishin të tillë.

Po sot nuk ka vlerë kush ka më shumë llum. Sot sfida jonë është zero llum.

Pa marazet personale për emrat e përveçëm nxirrini në kutitë e votimit, jo këtu, atje e merrni përgjigjen sikurse e keni marrë!

Dhe ndjesë që më detyroni ta them për shkak të ndërprerjeve tuaja kryetare, po që ju të tentoni të drejtoni e të rregulloni opinionin tim, është njësoj si një gërnetë e thyer të dirigjojë një simfoni klasike.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?