Bota

Skandali i përgjimeve, Apple rrit sigurinë ndaj softuerit të spiunimit Pegasus

14 Shtator 2021, 09:57| Përditesimi: 14 Shtator 2021, 09:59

  • Share

Pas skandalit të përgjimeve të bërë publike muaj më parë, në të cilën programi i spiunimit Pegasus përgjonte disa nga kompanitë më të mëdha dhe liderët ndërkombëtarë, mes tyre edhe presidentin francez Emmanuel Macron, kompania Apple ka bërë një përditësim të sigurisë.

Apple tha se po e bënte këtë përmirësim për pajisjet iPhone dhe iPad sepse një program "i krijuar me qëllim të keq" mund t'i hakojë ato. Për shkak të një mangësie, Apple i mundësonte Pegasusit të bëjë përgjime të pajisjeve. Pegasus mund të të prekë pajisjet edhe nëse përdoruesi nuk shtyp asnjë buton.

Studiuesit në “Citizen Lab”, një organizatë mbikëqyrëse e sigurisë kibernetike në Kanada, e gjetën problemin derisa analizuan telefonin e një aktivisti saudit, të cilit i ishte përgjuar telefoni.

"Ne erdhëm në përfundim se kompania e spiunazhit NSO Group përdori këtë dobësi për të shfrytëzuar dhe infektuar nga distanca pajisjet e fundit të Apple me softuerin e spiunimit Pegasus", shkroi Citizen Lab në një postim.

Përmes një deklarate, kjo kompani tha se "do të vazhdojë t'u sigurojë teknologji agjencive të inteligjencës dhe atyre të zbatimit të ligjit në të gjithë botën për të luftuar terrorin dhe krimin".

Pegasus mund të ndezë kamerën ose mikrofonin e një telefoni dhe të mbledhë të dhënat e tij.

Institucioni i mbrojtjes i Izraelit ka krijuar një komitet për të rishikuar biznesin e NSO, përfshirë procesin përmes të cilit jepen licencat e eksportit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?