Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimin lidhur me mandarinat e hedhura në treg të cilat ishin të kontaminuara me pesticide.
Zv. sekretarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes një postimi në rrjetet sociale, u shpreh se institucionet përgjegjëse duhet që të ushtronin kontroll dhe të mos lejonin tregëtimin e tyre në Shqipëri.
‘Shëndeti i shqiptarëve në rrezik, të gjitha institucionet kanë dështuar! 10 ton mandarina të kontaminuara me pesticide të ndaluara në BE, të kthyera nga Kroacia, janë shitur në treg. Në vend që të asgjësoheshin, mandarinat me përmbajtje të lartë të pesticidit “Fosmet”, i ndaluar për përdorim, u janë shitur shqiptarëve. Zinxhiri i dështimit nis te Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, me vulën e të cilës është certifikuar helmimi i fëmijëve tanë me pesticidin e ndaluar.
Mandarinat helmuese u kthyen në Shqipëri nga një vend ku siguria ushqimore është e garantuar. Ky produkt i refuzuar nga autoritetet kroate u kthye në vendin e origjinës, aty ku siguria ushqimore nuk është prioritet as i AKU dhe as i institucioneve të tjera përgjegjëse. Ky sistem i korruptuar, në mungesë totale transparence ndaj publikut, kërcënon çdo ditë shëndetin dhe jetën e shqiptarëve. Ky skandal i ngjashëm me atë të dy anijeve me mbetje u zbulua vetëm falë sinjalizimit të autoriteteve të huaja’, shkruan ajo.
21 ton mandarina të ndaluara për tregtim, të kthyera nga Kroacia janë shitur në tregun shqiptar dhe nuk u asgjësuan. Fermeri Elton Tafaj pretendoi se i kishte hedhur në një landfill në Bashkinë Dimal, por inspektimet nuk gjetën asnjë mbetje të produktit. Inspektori Elson Tahiraj, përgjegjës për certifikatat fitosanitare, pranoi se në raste të mëparshme kishte dërguar certifikata bosh te subjektet eksportuese, të cilat i plotësonin vetë dhe ia dërgonin më pas me foto për regjistrim në bazën e të dhënave.
Më 27 shkurt, Gjykata e Beratit dha masat e arrestit për tre të ndaluarit, grumbulluesin Arben Dyli- arrest me burg, fermerin Elton Tafaj- arrest me burg, dhe inspektorin e shtetit Elson Tahiraj, - arrest me burg.
Komente
