Monitoruesit e UEFA-s

Skandali me manipulimin e zgjedhjeve, monitoruesit e UEFA-s: Jemi këtu për të vlerësuar procesin zgjedhor të FSHF-së

15 Shkurt 2022, 17:29| Përditesimi: 15 Shkurt 2022, 17:34

  • Share

Një delegacion i UEFA-s ka mbërritur këto ditë në vendin tonë dhe po shqyrton akuzat për manipulime të zgjedhjeve nga ana e FSHF-së nëpërmjet votimeve në Shoqatat Rajonale.

Luka Nikola (Shef i qeverisjes së federatave anëtare në UEFA), Luka Zajc (Shefi i Çështjeve Korporative) dhe Jan Hafner (Ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve), që nga dita e hënë janë në vendin tonë duke shqyrtuar dokumentacionin e FSHF-së për ligjshmërinë e zgjedhjeve.

Siç u shpreh vetë Luka Nikola, objektivi kryesor ishte të vlerësohej ky proces zgjedhor i institucionit të futbollit, për të cilin kanë lindur dyshime të mëdha se ka baza të shëndosha ligjore.

“Së pari, për të shpjeguar kontekstin e misionit tonë, ne kemi ardhur në vijim të vizitës së fundit të Presidentit të UEFA-s në Shqipëri, ku ai u takua me Kryeministrin e Shqipërisë si dhe me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ne mbërritëm të hënën dhe objektivi i misionit tonë është të vlerësojë procesin zgjedhor të FSHF-së si edhe Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të planifikuar për t’u zhvilluar më 2 mars 2022.

Gjithashtu, ky mision përfshin edhe vlerësimin e rasteve të mundshme të ndikimit të papërshtatshëm nga palët e treta në procesin zgjedhor. Sapo misioni ynë të përmbyllë vizitën, do të përgatisim një raport për drejtuesit e UEFA-s dhe bazuar në këto gjetje ne do t’i komunikojmë FSHF-së qëndrimin e UEFA-s”, ishin fjalët e tij të thëna për faqen e FSHF

FSHF këto ditë po kalon në sitë të plotë nga ndërkombëtarët që kanë marrë sinjalizime për parregullsitë lidhur me procesin zgjedhor në shoqatat rajonale të futbollit për zgjedhjen e kryetarit të tyre. Kujtojmë se para disa ditësh FSHF mbylli përmes një procesi manipulativ zgjedhjet në 8 shoqatat rajonale të futbollit që kanë gati 50% të votave në asamblenë e 2 marsit.

Më 10 shkurt Gjykata e Tiranës rrëzoi asamblenë e mbajtur në zyrat e FSHF në 24 janar që zgjodhi Krenar Alimehmetin dhe njohu Asamblenë e Shoqatës rajonale të futbollit Tiranë që zgjodhi Eduard Prodanin si kryetar FSHF ende nuk ka reaguar. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës pritet që e njëjta gjë të ndodhi edhe me zgjedhjet në shoqatat e tjera pas denoncimeve për manipulime që janë bërë në Prokuroritë përkatëse. Në gjykatë për manipulimet e federatës janë edhe shoqatat e Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, ndërsa edhe Fieri e Korça kanë patur kundërshti të forta.

Në këtë situatë shanset më të mëdha janë që në 2 mars të mos ketë garë dhe Asambleja zgjedhore e FSHF të shtyhet. Në garë janë të konfirmuar Armand Duka, komentatori Dritan Shakohoxha dhe ish-sekretari i përgjithshëm i federatës Sulejman Starova.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?