Skandali me shoqatat/ Votojnë rrogëtarë të saj, ja si abuzoi FSHF edhe me ndarjen gjeografike

11 Shkurt 2022, 09:06| Përditesimi: 11 Shkurt 2022, 12:12

  • Share

TIRANË- Vota të sigurta nga rrogëtarë të FSHF-së, trajnerë të ekipeve kombëtare, konflikte të hapura interesi dhe një anomali e madhe duke përdorur shoqatat rajonale me delegatë që nuk përfaqësojnë aspak futbollin amator. Ajo që po ndodh javët e fundit me tetë shoqatat rajonale është në kufijtë e një marrëzie. “Numri i delegatëve që përfaqësojnë futbollin amator përmes shoqatave rajonale do të jetë i barabartë me atë të futbollit profesionist”.

Ishte ky vendimi që u mor në asamblenë e fundit të FSHF=së në vitin 2020, duke ndryshuar statutin në prag të zgjedhjeve që do të zhvillohen më 2 mars 2022. Kjo u shit si një arritje e madhe, pasi 26 anëtarë të futbollit profesionit (10 klube të Kategorisë Superiore dhe 16 klube te Kategorisë së Parë) do të barazoheshin me 26 delegatë që do të dilnin nga shoqata rajonale, ku sipas FSHF-së, çdo gjë do të bazohej duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të lojtarëve të regjistruar në kampionatet rajonale të të gjitha niveleve. Por, çfarë ka ndodhur? “Panorama Sport” zbardh anomalitë me shoqatat dhe si institucioni i futbollit shqiptar ka dirigjuar çdo gjë për të pasur vota të sigurta.

Votat dhe delegatët – Në zgjedhjet e zhvilluara deri më tani në tetë shoqatat rajonale të Tiranës, Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Korçës dhe Gjirokastrës, por gjithashtu edhe në atë që përfaqëson Shoqatën e Mjekësisë Sportive, janë të paktën 6 delegatë me të drejtë vote që paguhen nga FSHF-ja. Pra, rrogëtarët e institucionit të futbollit do të kenë mundësinë të votojnë më 2 mars. Bëhet fjalë për zyrtarë të lidhur ngushtë me FSHF-në dhe më e rënda, trajnerë të ekipeve kombëtare. Më konkretisht, në shoqatën e Tiranës, një prej delegatëve është kryetari Krenar Alimehmeti. Ky i fundit, prej muajsh bën njëkohësisht detyrën e delegatit të FSHF-së në ndeshje të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, duke u paguar pikërisht nga institucioni i futbollit.

Shoqata
Në Shoqatën e Durrësit është i përzgjedhur për të votuar Agron Kërçova, i cili prej dy vitesh mban detyrën e trajnerit të Shqipërisë U-16. Edhe kryetari i zgjedhur në këtë shoqatë, Mikel Furxhi, paguhet nga FSHF-ja si trajner në zyrën rajonale të Durrësit. Konflikti i hapur i interesit vijon me Elbasanin, aty ku kryetari Ilirjan File, prej kohësh është pjesë e zyrës rajonale dhe mbi të gjitha çdo javë e shikon në detyrën e delegatit të ndeshjeve në Kategorinë e Parë dhe të Dytë. Çudirat vazhdojnë me Fierin, që ka deleguar për të votuar më 2 mars trajnerin aktual të Kombëtares U-20, Ilias Haxhiraj. Dhe sikur të mos mjaftonin këto emra, perla e radhës e FSHF-së është fizioterapisti i Kombëtares, Arjan Llaperi, i përzgjedhur nga Shoqata e Mjekësisë Sportive si njeriu që do të votojë në zgjedhjet e radhës.

Pra, të gjithë këto emra, në konflikt të hapur interesi, janë përzgjedhur si delegatë, me FSHF-në që ka përdorur turpshëm shoqatat rajonale, duke devijuar totalisht nga ajo që e cilësoi si barazi të futbollit amator me atë profesionist. Por, bëmat me shoqatat nuk mbarojnë këtu, pasi priten të tjera thagma me dy delegatë nga Shoqata e Arbitrave dhe Trajnerëve.

Ndarja dhe numrat- Besojeni ose jo, por FSHF-ja ka menduar që Kukësi, Tropoja, Peshkopia, Burreli dhe Bulqiza të përfaqësohen në Shoqatën e Lezhës. Vetëm institucioni i futbollit shqiptar mund t’i japë një sqarim kësaj ndarjeje të pabesueshme që u ka bërë shoqatave. Ndoshta përfshirja e tyre në rajonin e Shkodrës mund të cilësohej deri diku e pranueshme, por të imponosh Kukësin, Tropojën, Peshkopinë, etj., të bëhen pjesë e shoqatës së Lezhës, është diçka e paimagjinueshme. Dje u bënë edhe zgjedhjet për këtë shoqatë dhe ajo që ra në sy ishte fakti se nga tre delegatë me të drejtë vote, futbollin amator të verilindjes së vendit nuk e përfaqësonte askush. Madje, një prej delegatëve është zyrtar i klubit të Laçit, duke i bërë kështu kurbinasit me dy vota.

Shoqata Rajonale e Futbollit Korçë
Çudirat nuk mbarojnë këtu, pasi FSHF-ja është kujdesur të bëjë manovra të tilla edhe me shoqatën e Korçës. Skënderbeu si klub ka praktikisht 3 vota, pasi krahas Ardjan Takajt, shoqata në zgjedhjet e fundit ka përzgjedhur Ilirjan Përmetin dhe Roland Shkëlqimin, të dy në pozicione të rëndësishme në klubin korçar prej shumë vitesh. Absurditeti me numrat është një tjetër anomali që FSHFja ka shkelur me të dyja këmbët statutin. Pasi zvogëloi nga 8 në 6 delegatë me të drejtë vote shoqatën e Tiranës, bëri një rritje artificiale në shoqatën e Gjirokastrës, duke e çuar në 3 numrin e delegatëve. Duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të lojtarëve të regjistruar në kampionatet rajonale të të gjitha niveleve, shoqata e Gjirokastrës nuk ka më shumë futbollistë se Elbasani, por ama ky i fundit ka vetëm dy delegatë! Një lojë me numra, që natyrisht konfirmon votat e sigurta, me shpikje delegatësh, si në rastin e klubit të falimentuar prej dy vitesh, Luftëtari, që do të përfaqësohet në zgjedhje nga një ish-kryetar partie, edhe pse me logon e tij aktualisht nuk ka asnjë skuadër në aktivitet.

Shoqata rajonale e futbollit Gjirokastër
Ndërhyrjet e institucionit të futbollit me rritjen artificiale të delegatëve në Gjirokastër kërkonin të justifikoheshin me përfshirjen e Sarandës dhe Delvinës, por edhe kjo e ka një prapaskenë. Në mes është Vlora, një zonë që përfaqësohet me shumë ekipe në futbollin amator, por që çuditërisht nuk ka shoqatë dhe është detyruar të bëhet pjesë e zyrës rajonale të Fierit. Një ndarje e padrejtë, por me një lojë numrash që FSHF-ja i ka bërë sipas interesit, në një kohë që logjikisht me një shoqatë në Vlorë, edhe Butrinti, Delvina dhe i gjithë futbolli amator i bregut, duhet të përfshiheshin aty, siç dhe janë aktualisht një qark./PanoramaSport

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?