Edlira Naqellari

Kronikë

Thellohet skandali i tenderit të uniformave të policisë, mungojnë 239 mijë artikuj të porositur! Zbardhet dëshmia e Naqellarit: S'kam bërë asnjë shkelje, s'kishim sasi të përcaktuar

21 Korrik 2021, 19:09| Përditesimi: 21 Korrik 2021, 19:54

  • Share

Në 'inventarin' e Policisë së Shtetit mungojnë plot 239 mijë njësi të porositura për uniformat blu si kapelet, këpucë, qofshin këto dimërore, verore dhe plazhi. GJKKO ka përllogaritur këtë si një dëm shumë të madh ekonomik që të shkaktuar nga 9 të akuzuarit në skandalin e tenderit të uniformave , për të cilin u shpenzua 2 miliardë e 800 milionë lekë.  Pavarësisht se ishte rënë dakord që t’i dorëzoheshin gati 726 mijë artikuj siç parashikonte edhe fondi limit janë dorëzuar 239 mijë më pak. 

Ndërkohë që në dosje është zbardhur dëshmia e ish-drejtoreshës së prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellarit, e cila është një nga 9 zyrtarët e ish-zyrtarët e arrestuar për tenderin abuziv për uniformat e Policisë së Shtetit.

Në dëshminë e saj në Gjykatë, Naqellari këmbëngul se është e pafajshme dhe se nuk ka bërë asnjë shkelje, ndërsa thekson se ende nuk ka të qartë se cilin ligj ka shkelur. Sipas Naqellarit, Policia e Shtetit mbahej prej vitesh me donacione nga shtete të ndryshme dhe për këtë arsye ishte rënë dakord që më në fund efektivët e policisë së shtetit që të visheshin me uniforma dinjitoze.

Në lidhje me akuzën se ka ulur sasinë e përcaktuar të uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit, Naqellari shprehet se marrëveshja nuk kishte një sasi fikse të përcaktuar. Sipas Naqellarit, kontratat do të lidheshin rast pas rasti, sipas nevojave të Policisë së Shtetit

"Marrëveshja kuadër nuk ka sasi fikse. Për më tepër vetë dokumenti marrëveshja kuadër e nënshkruar midis Agjencisë së blerjeve të përqendruara dhe operativ ekonomik fitues në një nen të saj parashikon që autoriteti kontraktor Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit ka të drejtë të kontraktojë, të furnizohet më pak për disa artikuj, më shumë për disa të tjerë ose asnjë nga ato artikuj mallrash që janë të prokuruar. Edhe pretendimi për ndryshimin e sasive apo përshtatjen që ka bërë struktura e njësisë së prokurimit për përshtatjen e sasive është në përputhje të plotë me çfarë marrëveshja kuadër parashikon, sasi të pritshme, sasi orientuese, jo sasi fikse. Marrëveshja kuadër nuk sjell dëm ekonomik sepse me një afat dhe fond të caktuar, autoritetet kontraktore lidhin kontrata për aq sasi sa kanë nevojë në atë kohë kur kanë nevojë. Fondi i marrëveshjes kuadër nuk i është paguar fituesit. Brenda atij fondi sipas nevojave që do të kenë vetë punonjësit e policisë së shtetit do të lidhen kontrata rast pas rasti sipas nevojave të tyre specifike, brenda kësaj periudhe 4-vjeçare dhe kjo nuk do të thotë që fondi as do të tejkalohet dhe as do të realizohet i gjithi dhe as do të abuzohet me të", ka thënë Naqellari.

Ndërkohë, në lidhje me favorizimin e kompanisë fituese, ku u shpallën bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, Naqellari thekson se nuk ka patur asnjë favorizim, duke shtuar se i është dhënë mundësia për të marrë pjesë dhe për të ofertuar të gjithë operatorëve të interesuar.

"Nga ana e të gjithë punonjësve ju garantoj për këtë, nuk është favorizuar askush, përkundrazi ju është dhënë mundësia për të marrë pjesë dhe për të ofertuar të gjithë. Nëse do të merrni dhe të shikoni statistikat niveli i pjesëmarrjes së operatorëve ekonomik është një procedurë shumë e lartë", është shprehur ajo.

Ndërkohë është zbardhur edhe dëshmia e 5 të arrestuarve të tjerë, Klevis Hasani, Flutura Çekrezi, Fatmir Demneri, Ani Omuri, Kreshnik Bejkaj, të cilët theksojnë se të gjitha procedurat janë bërë sipas rregullave të përcaktuara dhe se nuk ka asnjë shkelje të ligjit me prokurimin publik. Si Naqellari, edhe ata theksojnë se nuk e kanë të qartë ligjin që kanë shkelur dhe se nuk ka asnjë dëm ekonomik nga tenderi.

Në dëshminë e tij, Kreshnik Bejkaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për fazën e dytë, thotë se, në lidhje me një ankesë të bërë nga një operator, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ka mbajtur të njëjtin qëndrim si Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Ai ngre pyetjen se përse në këtë rast nuk janë përpara Gjykatës anëtarët e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, ndërsa thekson se çështja i duket më shumë politike dhe pas asnjë bazë ligjore.

Kujtojmë se SPAK mësyu në Ministrinë e Brendshme më 10  korrik, ku u arrestuan  ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Këto arrestime janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të 11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë 'zbërthyer' skemën e abuzimit me tenderin. Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Andi: 22/07/2021 06:19

    Thellohet skandali, mungojnë 239mije artikuj. A ja keni idenë ca është marrëveshja kuadër mer? Nuk punoj ke MB, nuk i njoh fare, nuk më plas fare, po me titujt që beni nuk tregoni profesionalizëm. Si mund të blesh per 4 vitet ardhshme një sasi fikse, kur nuk di zhvillimin ndër vite të ndryshimeve të të punësuarve (si rrjedhojë masat e veshjeve dhe sasitë). Normal qe nëse kanë llogaritur për 4 vjet 255mije artikuj dhe deri tani kanë porositur 16mije, do ngelin 239mije. Dhe pagesën e marrin sa herë bëjnë porosinë, jo kallup në fillim

    Përgjigju
  • Zihni: 21/07/2021 20:10

    Spaku u ngrit ne baze te eks te kroacise rumanise etj por spaku yne e filloi nga kapelet e policise kanalet e lushnjes dhe 1000 euro dhe jo nga vrasesit dhe demtuesve te medhenj te buxhetit si arbitrazhet e humbura nga saliu dhe edi rama 2 persona qe kane sjelle deme ekonomike te mrdha buxheyit nga arbitrazhet pse spaku nuk e filloi nga keto gropa buxhetore ....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?