Muzeu Britanik, një nga institucionet kulturore më prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar, po përballet me një skandal të paprecedentë vjedhjeje, pasi më shumës se 2 mijë objekte me vlerë historike dhe kulturore janë “zhdukur” pa lënë gjurmë.
Hetimi i nisur në fillim të këtij muaji, kur autoritetet vunë re mungesën e shumë prej objekteve që ruheshin në muze ka nxjerrë në dritë disa zhvillime të reja në lidhje me ngjarjen.
Mediat britanike shkruajnë se autori, apo autorët kanë kryer vjedhje të vazhdueshme, prej vitesh nën hundën e autoriteteve, duke ngritur kështu shumë pikëpyetje rreth boshllëqeve të sigurisë.
Më e çuditshme në këtë pikë nuk është fakti se si objekte kaq të rëndësishme historike vidheshin nga një muze prestigjioz prej vitesh, por ajo që ka bërë zhurmë dhe ka pushtuar mediat britanike është neglizhenca e stafit të muzeut dhe përgjegjësit, të cilët nuk kanë vënë re atë që po ndodhte prej kohësh brenda muzeut.
Pra u deshën vite që përmasat e problemit të bëheshin të dukshme, ndërsa Muzeu Britanik zbuloi papritur “zhdukjen” e tyre vetëm pak muaj më parë.
Duke cituar burime nga Muzeu Britanik i cili foli në kushte anonimiteti, mediat britanike në një raport të fundit kanë treguar se numri aktual i sendeve të çmuara të vjedhura ose të shkatërruara nga i njëjti njeri është mbi 1500 “afër 2000”.
Një pjesëtar i stafit të muzeut, i cili akuzohet se ka gisht në zhdukjen e objekteve me vlerë dyshohet se i shiste ato në eBay.
Mirëpo këtë gjë autori i dyshuar Peter Higgs, nuk e ka bërë vetëm një herë, por disa herë gjatë viteve, ku vetëm një rast është vërejtur nga një ekspert, i cili ka qenë i pari që ka bërë denoncimin.
Paradoksi është se mjaftoi një vështrim në katalogët zyrtarë për të vërtetuar se këto vepra antike vinin nga koleksionet e muzeut.
Sendet e zhdukura përfshijnë ar, bizhuteri, gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar dhe askush nuk mund të specifikojë ende sasinë e saktë, as se cilat thesare janë humbur apo shitur.
Megjithatë, me një vlerësim të përafërt, vlera e tyre mendohet se i kalon dhjetëra milionë paund, ndërkohë që po shqyrtohet seriozisht lidhja e autorit me një sërë rastesh paralele të humbjes apo vjedhjes. Disa ekspertë kanë frikë se thesaret e vjedhura, të cilat mund të përfshijnë gurë të çmuar, qelq dhe metal që në vitin 1500 para Krishtit, janë tashmë në duart e koleksionistëve privatë.
Pavarësisht përpjekjeve të bëra gjatë dhjetë ditëve të fundit nga drejtorët e Muzeut Britanik për të minimizuar ngjarjen shumë të rëndë të vjedhjes së rreth 2000 objekteve me vlerë nga koleksioni i tij dhe për të hequr dorë nga përgjegjësitë e tyre, drejtori i muzeut Hartëig Fischer dhe zëvendësdrejtori Jonathan Ëilliams u detyruan të japin dorëheqjen.
Rasti tashmë është marrë në hetim nga autoritetet policore, i dyshuari kryesor që është shkarkuar para tre ditësh është thirrur për të dëshmuar ndërsa Muzeu Britanik do i duhet të menaxhojë një nga periudhat më të vështira të historisë së tij.