Shokuese e ka cilësuar mjekja Aurora Dollenberg, skandalin te spitali Onkologjik, ku mjekë e staf i spitalit ishin të përfshirë në një skemë kur nuk u ofrohej shërbim pacientëve të sëmurë me kancer po orientoheshin drejt spitalit privat të mjekut onkolog Edmond Gashi.
Në një intervistë për Report Tv, mjekja u shpreh se bluzat e bardha nuk mund të bëjnë pazar me pacientët me kancer. Mjekja e cila jeton dhe punon në Gjermani, tha se edhe vetë onkologët nuk mund të punojnë veçmas por në bashkëpunim me pacientë të tjerë.
‘Është shokues për faktin kur edhe ne si mjekë shohim kolegët tanë që komunikojnë me njëri tjetrin duke shprehur shifra, e duke e banalizuar. Kolegu me pacientët që i trajtojnë si një plaçkë tregtie dhe jo si njerëz që janë në rrezik jete dhe kur gjithë familja e tyre është në një shok, në këtë aspekt më vjen keq që shoh mesazhe të tilla. Edhe pse po flasim për bluzat të bardha. Përsëri edhe mjeket duhet të dënohen në rast se bëjnë shkelje kaq flagrante. Nuk ka shqiptarë që kur dëgjon që të bëhet pazar dhe tregti me pacientët që janë me kancer, mbetemi më tepër te shoku që një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.
Nuk mund të jepen kimioterapi në klinika private pasi janë medikamente kaq të rëndësishme. Punojnë dyfish edhe në shtet edhe në privat duke krijuar një konflikt të qartë interesi dhe mënyra për të abuzuar që pacientët të çohen nga shteti në privat. Onkologu nuk punon i vetëm por në bashkëpunim. Nuk punon secili veçmas por si skuadër, dhe kjo nuk lejon, nuk kam dëgjuara asnjëherë në Gjermani që një mjek të abuzojë. Shkelje që të heq licencën jo vetëm të punës por shkon edhe në burg.’- tha Dollenberg.
Ndërsa, Gent Serjani avokat, tha se mjekët po përfitojnë nga mosfunksionimi i sistemit. Avokati tha se prej vitit 2014 nuk ka ndryshuar protokolli i trajtimit të të sëmurëve me kancer.
‘Në QSUT mungon mjekimi dhe medikamentet për kancerin. Ti nëse nuk ja ofron shërbimin në shtet atëherë ti e ke detyruar që të vijë tek privati. Ka filluar një ligjërim publik që nuk është faji i mjekëve, por është i sistemit. Është i sistemit, por edhe i mjekut, pasi sistemi nuk funksionon dhe mjeku përfiton nga mosfunksionimi i sistemit. Prej 10 vitesh nuk ka ndryshuar protokolli në spitale, apo mënyra si trajtohen të sëmurët me kancer.’- u shpreh Serjani.