Tirane- Në vitin 2014 mosbindja ndaj urdhrit të prokurorisë së Tiranës për ekzekutimin e 6 mandat-arresteve të lëshuar për arrestimin e efektivëve të Gardës së Republikës pas ngjarjeve të 21 janarit, vuri nën hetim dy ish-krerët më të lartë të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj në akuzë për “Shpërdorim detyre”.
Emrat e Burgaj dhe Kuliçaj u regjistruan në regjistrin e procedimeve penale të Prokurorisë së Tiranës pas kallëzimit të SHKB-së, (Shënim: (SHKB) është Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm sot është AMP, Agjencia e Mbikqyrjes policore) e cila I akuzonte për shpërdorim detyre. Ata u vunë në hetim për skandalin e refuzimit të ekzekutimit të urdhrave për arrestimin e Ndrea Prendit dhe 5 gardistëve të tjerë, të dyshuar se kanë qëlluar me armë mbi protestuesit e opozitës.
Në atë kohë Hysni Burgaj ishte dorëhequr nga policia ndërsa Agron Kuliçaj, punonte si këshilltar i PD në in parlamentar.
Urdhri me gabime
Dy ditë pas 21 janarit ish-kryeprokurorja Ina Rama arriti të komunikonte në telefon direkt me kreun e Policisë së Shtetit në atë kohë Hysni Burgaj, duke i kërkuar këtij të fundit arsyet pse nuk ekzekutonte urdhërat e ndalimit për 6 gardistët. Nga ana e tij, Burgaj i është kundërpërgjigjur se nuk mund të vepronin në kushtet kur vartësit e ish-kryeprokurores kishin dërguar në polici, një urdhër ndalimi me gabime ortografike ke dhe adresa të gabuara.
Një ditë më pas, reagoi dhe Edi Rama, në atë kohë shef i opozitës që drejtonte protestat, duke i kërkuar zyrtarisht policisë, që të linte mënjanë ndërhyrjet të politikës dhe të zbatonte ligjin duke iu bindur prokurorisë.
Fill pas tij, reagoi ashpër deri në fyerje personale ish-kryeministri Sali Berisha, duke e quajtur ish-kryeprokuroren Rama si lavire bulevardi ndërsa Edi Ramën horr bulevardi.
Mes Hysni Burgajt dhe Agron Kuliçajt, në kallëzimin e SHKB atëherë ishin dhe dy prokurorë, që, sipas drejtuesve të SHKB, në atë kohë nuk kanë marrë masat e nevojshme për të zgjidhur situatën dhe ndaluar 6 gardistët.
Sipas SHKB, prokurorët duhej të nisnin menjëherë hetimet për Burgajn dhe Kuliçajn, dhe për këtë si indicie ka qenë dhe një kallëzim penal i bërë në atë kohë nga PS.
Ndërkohë që në fund të kallëzimit, SHKB i kërkonte prokurorisë të marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve dhe ish-kryeprokuroren Ina Rama. Ndërsa si prova materiale janë referuar të gjitha shkresat e korrespodencës për atë ngjarje.
Hetimet u pushuan. Ndërsa prej korrikut të këtij viti tashmë dosja është në dorë të SPAK.
Çështjen e vonesës 18 ditë e zbatimit të urdhrave të prokurorisë ka qenë një prej akteve më të rënda, për të cilën edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, teksa e citonte në vendim deklaratat e Berishës kundër zbatimit të këtij urdhri.