Marrëveshja e Ohrit, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës.
Propozimi franko-gjerman, propozimi evropian, Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Marrëveshja Bazë.
Më 27 shkurt 2023, ajo u pranua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilët ranë dakord për planin e zbatimit më 18 Mars 2023 në Ohër.
Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Palëve u kërkohet që t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Aneksi e veçon pikën 7 të Marrëveshjes Bazë, ku disa prej tyre e shohin si referencë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo pikë ka të bëjë me sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Një tjetër pikë është Deklarata për Personat e Zhdukur, ku Presidenti serb dhe i Kosovës e kanë miratuar një të tillë në një takim të zhvilluar më 2 maj 2023.
Siç thuhet në dokument Zbatimin e Marrëveshjes e mbikqyr një Komitet i Përbashkët Monitorues, i kryesuar nga BE-ja, i cili është formuar më 18 prill.
Marrëveshja Bazë dhe Aneksi parashohin që pikat e dokumentit bazë të zbatohen të pavarura nga njëra-tjetra dhe se renditja e tyre nuk e paragjykon renditjen e zbatimit.
Të dyja shtet janë paralajmëruar se dështimi për zbatim të Marrëveshjes Bazë mund të ketë pasoja negative në proceset e tyre integruese në BE, si dhe në marrjen e fondeve nga ky bllok.
Kjo marrëveshje ka për qëllim organizimin e një konference donatorësh për të krijuar një pako investimesh dhe ndihme për dy vendet nëse të gjitha pikat e Marrëveshjes Bazë zbatohen plotësisht. Por kjo gjë nuk ka ndodhur ende pasi si Kosova, ashtu edhe Serbia e kanë fajësuar shpesh njëra-tjetrën për shkelje të dokumentit.
Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011, të cilat kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh që atëherë, por jo të gjitha janë zbatuar.