Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka hartuar dhe publikuar udhëzimin me rregullat e zbatimit të marrëveshjes me Italinë në fushën e sigurimeve shoqërore. Në këtë udhëzues janë sqaruar si bëhet aplikimi, ku bëhet aplikimi dhe dokumentet e nevojshme për të përfituar.
Kjo marrëveshje mbulon sipas legjislacionit shqiptar:
* Pension pleqërie;
* Pension invaliditeti;
* Pension familjar;
* Përfitime për sëmundje dhe barrëlindje;
* Përfitime nga papunësia.
Sipas legjislacionit italian:
* Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar për punonjës të sektorit privat, publik, të vetëpunësuar dhe të regjistruar në skema të veçanta;
* Përfitime nga papunësia;
* Përfitime në para për sëmundje, tuberkuloz dhe barrëlindje.
Ku aplikohet për pension?
Nëse jeton në Shqipëri, aplikimi bëhet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore ose online në e-Albania. Nëse jeton në Itali, aplikimi bëhet pranë Istituto Nazionale della Previdenza Sociale në Itali. Sipas udhëzuesit procesi i shqyrtimit të kërkesës për përfitim në Shqipëri, zgjat deri në 2 muaj nga data e mbërritjes së kërkesës përmes shkëmbimit ndërinstitucional.
Kush përfiton pension dhe dokumentet që duhen dorëzuar për pension në Shqipëri?
Në udhëzues sqarohet se për të përfituar pension pleqërie në Shqipëri, personat e siguruar duhet të kenë një periudhë minimale sigurimi, jo më pak se 15 vite në të dyja vendet.
Të kenë arritur moshën e përcaktuar me ligj për përfitimin e pensionit të pleqërisë, për burrat deri në vitin 2032 është 65 vjeç. Nga viti 2032 deri në vitin 2056, mosha e daljes në pension rritet me 1 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç.
Ndërsa për gratë prej vitit 2015 mosha rritet me 2 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç në vitin 2056. Në vitin 2025 mosha e daljes në pension për gratë është 61 vjeç e 10 muaj.
Dokumentacioni i nevojshëm:
1. Deklaratë personale e historikut të punësimit.
2. Librezë pune (nëse e disponon).
3. Certifikatë martese (vetëm për gratë).
4. Vërtetim nga gjendja civile, në rastet kur ka pasur ndryshim të gjeneraliteteve.
5. Diplomë e shkollës së lartë vetëm për gratë (nuk kërkohet pas datës 31.12.2032).
6. Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe periudhën e vuajtjes së tij (nëse e disponon).
7.Vendim gjykate për njohjen e vjetërsisë në punë (nëse e ka).
8.Të dhëna bankare të firmosura nga institucioni bankar për pagesën e pensionit.
9. Kopje e dokumentit të identifikimit shqiptar/italian.
Kush përfiton pension dhe dokumentet që duhen dorëzuar për pension në Itali?
Sipas legjislacionit italian përfitimi i pensionit i jepet punonjësve që kanë arritur moshën dhe kontributet e përcaktuara ligjërisht. Kushtet për përfitim janë mbushja e moshaës 67 vjeç si për burrat edhe për gratë si dhe personi të ketë grumbulluar 20 vite periudha sigurimi (sistem i përzier ose kontributiv).
Për ata persona që kanë periudha kontributive vetëm pas vitit 1996, kërkohet që pensioni i llogaritur të jetë të paktën sa shuma e asistencës/ ndihmës sociale, në Itali, ose mund të kërkohet në moshën 71 vjeç me të paktën 5 vite kontributive efektive.
Dokumentacioni i nevojshëm gjatë paraqitjes së kërkesës për pension në Itali është:
* Dokumentacion që dëshmon punësimin ose sigurimin shoqëror në Itali;
* Dokumentacion italian për kryerjen e shërbimit ushtarak, në rastin e shtetasve italianë, rezidentë jashtë shtetit, që kanë kryer shërbim ushtarak në Itali, periudha sëmundjesh, periudhë barrëlindjeje, etj;
* Dokumentacion lidhur me ndërprerjen e aktivitetit punëdhënës;
* Certifikatë familjare;
* Kopje e kodit fiskal të vërtetuar nëpërmjet zyrës së taksave (ose përmes Konsullatës Italiane në Shqipëri) të familjarit/ ëve në ngarkim që nuk ka/ kanë punuar kurrë në Itali;
* Dokumentacion bankar ku të specifikohet titullari/ bashkë-titullari i llogarisë bankare në të cilën duhet kryer pagesa e përfitimit;
* Kopje e dokumentit të identitetit
Kjo marrëveshje do të funksionojë duke bashkuar periudhat kontributive. Pensioni llogaritet sipas legjislacionit të të dy shteteve me bashkimin e periudhave. Nëse nuk mjaftojnë periudhat për përfitim në një shtet, totalizimi i periudhave në të dy vendet lejon përfitimin e pensionit proporcional.
Pensioni nuk llogaritet nëse periudha e sigurimit në një shtet është më pak se 1 vit (52 javë), por kjo periudhë mund të bashkohet me periudhat e realizuara në shtetin tjetër, vetëm nëse personi ka të drejtë për përfitim në atë shtet.( P.sh., nëse një person ka plotësuar 14 vjet e 1 muaj periudhë sigurimi në Shqipëri dhe 11 muaj në Itali, ai do të përfitojë vetëm pension shqiptar dhe jo italian).
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
