Më 11 dhjetorin e vitit të kaluar në 31-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi 4935 delegatë të Kuvendit të PD dhe disa mijëra militant të tjerë dhe miratoi me ngritje duarsh ndryshimet në ‘Kushtetutën ‘ e partisë, ndryshime që gjykata ia certifikoi sot.
Qëllimi kryesor i Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha është ndryshimi i Statutit të PD për t'i hapur rrugë shkarkimit të Bashës.
Një ndryshim thelbësor i statutit ka të bëjë me nenin se çdo akt i organeve të PD-së i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit. Pra Berisha vendosi të zhbëjë vendimin e Bashës për ta përjashtuar. Po në statut thuhet qartë se kryetari nuk ka të drejtë të shkarkojë një deputet nga grupi parlamentar, qofshin këta edhe ‘non grata’. Në statutin e 11 dhjetorit, është hequr kompetenca e kryetarit për të përjashtuar anëtarë, siç veproi Lulzim Basha me Berishën. Sipas statutit të ri, Këshilli Kombëtar merr masa disiplinore ndaj anëtarëve të Këshillit, ku bëjnë pjesë edhe deputetët, dhe anëtarëve të Kryesisë së PD-së.
Neni 46 i statutit të ri parashikon që kryetarit të PD-së i mbaron mandati kur humbet zgjedhjet parlamentare dhe nuk ka të drejtë të rikandidojë për kryetar të partisë. Në rast humbje në zgjedhjet vendore, kryetari i PD-së duhet të votëbesohet në Kuvendin Kombëtar. Ai quhet i votëbesuar nëse pro tij votojnë jo më pak se sa 70 % e anëtarëve të Kuvendit. Këta nen jo pak herë Berisha me ironi e pati quajtur ‘neni Basha’.
Statuti i miratuar parashikon edhe zhvillimin e referendumeve në PD, për çështje të ndryshme, kur një gjë të tillë e kërkojnë jo më pak se sa 7 mijë anëtarë. Firmat e mbi 7 mijë anëtarëve duhet të verifikohen nga sekretariati, i cili u shmang nga Berisha në rastin e firmave të delegatëve për mbledhjen e Kuvendit të PD-së. Më pas Kryesia e PD-së thërret referendumin. Nëse Kryesia nuk e përmbush këtë detyrim, anëtarët caktojnë një grup ad hoc me 10 anëtarë për verifikimin e firmave dhe caktimin e datës së referendumit jo më herët se 30 ditë nga data e publikimit të firmave.
Statuti i Berishës, në nenin 12, shmang plotësisht kryetarin e PD-së edhe në caktimin e kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë. Kandidatët votohen nga anëtarësia, propozohen nga Kryesia dhe votohen nga Këshilli Kombëtar.
Statuti i ri parashikon njohjen e fraksioneve në PD, kur mbështeten nga jo më pak se 15 % të degëve, deputetë ose të anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Partia Demokratike që do të ketë logo dhe një vulë të re, duke iu rikthyer simboleve origjinale.
Statuti i ri bën të pavlefshme vendimet e marra më herët nga Kuvendi Kombëtar, duke sanksionuar që çdo vendim tjetër i ndërmarrë pas hyrjes në fuqi të statutit votuar në stadium, shfuqizohet automatikisht.
Sipas ndryshimeve të bëra nga njerëzit e Berishës synohet që organet kolegjiale të forcohen, në qendër dhe në bazë. Organizatat partnere përveç LGD dhe FRPD, është shtuar grupimi dhjetor 90. Ato do kenë akses më të sigurt në listat e kandidimit në pushtetin vendor.
( Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)