Bota

SKEDA/ Si lindi dhe çfarë është Komuniteti Politik Europian?

15 Maj, 17:39| Përditesimi: 15 Maj, 18:14

  • Share

Komuniteti Politik Europian është një platformë diskutimesh politike e strategjike mbi të ardhmen e Europës, e cila lindi në vitin 2022. Ideuesi i saj është presidenti francez Emmanuel Macron, në një përpjekje për ta mbajtur të bashkuar kontinentin, përballë kërcënimeve që vinin nga Rusia, vendi i cili së bashku me Bjellorusinë u lanë qëllimisht jashtë këtij forumi.

Komuniteti politik mblidhet dy herë në vit, duke u alternuar mes një vendi të BE dhe një vendi jashtë saj. Takimi i parë u mbajt në Pragë në 6 tetor të vitit 2022, ndërsa i fundit në radhë ishte nëntorin e kaluar në Hungari.

Objektivi i Komunitetit politik është që të ofrojë një platform të koordinimit të të politikave për të gjithë vendet evropiane, duke promovuar dialogun politik dhe bashkëpunimin në çështje me interes të përbashkët për kontinentin.

Lufta në Ukrainë ka diktuar axhendën e të 5 takimeve të mbajtura deri më tani, duke e përqendruar vëmendjen të forcimi i sigurisë, stabilitetit dhe begatisë së Europës. Çështja e energjisë, ka dominuar gjithashtu diskutimet.

Komuniteti politik është konceptuar si një forum ndërqeveritar i krerëve të shteteve dhe qeverive, i ngjashëm në formë me G7 apo G20. Takimet ndërtohen duke pasur në qendër dy sesione plenare, dhe disa tryeza të rrumbullakëta ku diskutohen tema më specifike dhe konkrete.

Ngritja e këtij forumi është shoqëruar dhe me dilema apo kritika. Fillimisht u pa si një alternativë për të frenuar zgjerimin, duke i joshur vendet aspirante me pjesëmarrjen e tyre në këtë Komunitet. Të tjerë e kanë parë thjesht si një shfaqje politike, duke qenë se nuk prodhon dokumente apo vendimmarrje politike.

Pikëpyetje u ngritën fillimisht edhe për faktin se nga njëra anë  janë vendet e BE-së që proklamojnë vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, e nga ana tjetër ka vende anëtare si Azerbajxhani apo Turqia, ku këto elementë lënë për të dëshiruar. Megjithatë, nevoja për të treguar një Europë sa më kompakte, duket një zgjedhje gjeostrategjike që për momentin prevalon mbi të tjerat.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Besoni se qeveria Rama 4 do të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?