TIRANË- Një skemë mashtrimi me TVSH është zbuluar në Tiranë, ku 3 subjekte kanë shitur produkte me vlerë totale 225 mln lekë të reja duke iu shmangur detyrimeve tatimore. Kjo skemë mashtrimi i ka kushtuar buxhetit të shtetit 53 mln lekë të reja dëm. Gjykata e Tiranës ka caktuar masën arrest me burg për Serxho Mahmutaj, i cili ishte në krye të skemës së mashtrimit, ndërsa detyrim paraqitjeje është vendosur për tre tregtarët, Zenel Ruzaj, Endi Stafa dhe Panajot Kristo.
Skema e mashtrimit është zbuluar pas një hetimi disa mujor, ku u zbulua se 3 subjekte tregtare u krijuan për të kryer importet në favor të tregtarëve të ndryshëm, që këta të fundit ta marrin produktin pa faturë. Mahmutaj kishte përdorur emrat e këtyre 3 tregtarëve për të regjistruar subjektet dhe çdo veprim e ka kryer në emër të tyre.
Këto shoqëri, sipas Prokurorisë, kanë funksionuar si ‘nipte shëtitës’ dhe tregtarë që fshiheshin pas këtij aktiviteti kanë përfituar të ardhura duke mos deklaruar xhiron reale, shmangur detyrimet tatimore dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 53.000.000 lekësh të reja.
"Nga analizimi i provave të grumbulluara, rezulton se 3 subjekte tregtare u krijuan për të kryer importet në favor të tregtarëve të ndryshëm, që këta të fundit ta marrin produktin pa faturë. Këto shoqëri objekt hetimi, kanë funksionuar si ‘nipte shëtitës’ dhe personat (tregtarë) që fshihen pas këtij aktiviteti përfitojnë të ardhura duke mos deklaruar xhiron reale, shmangur detyrimet tatimore dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 53.000.000 lekësh.
Nga hetimet, rezultoi se këto subjekte kanë kryer importe të mallrave të ndryshme, të cilat janë përdorur për rishitje nga subjekti kundrejt pagesës (ose pa dijeninë e tyre). Shtetasi Serxho Mahmutaj ka përdorur të dhënat e tre shtetasveZenel Ruzaj, Endi Stafa dhe Panajot Kristo me të cilat ka regjistruar këto subjekte dhe ka kryer çdo veprim në emër të tyre", njofton Prokuroria e Tiranës.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale ‘Krijimi i skemës së mashtrimit në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar’, ‘Fshehje të ardhurash’ dhe ‘Moskallëzim të krimit’.
Dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë persona, subjekte të tjera, studio kontabiliteti, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilët vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale.