Për të paguar pensionet e 100 qytetarëve sot kontribuojnë 117 punonjës. Ky nivel nuk është i mjaftueshëm për të shlyer pensionet për 721 mijë pensionistë që ka Shqipëria dhe për këtë arsye prej 1 dekade, diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit.
Të ardhurat për sigurimet shoqërore që paguhen nga punëdhënësit për punonjësit, nga shteti për administratën, kontribute vullnetare apo nga të vetëpunësuarit, vjet arritën në 1 miliardë e 675 milionë euro. Por ky fond nuk mjaftoi për të mbuluar pagesat e pensionistëve, pasi Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka shpenzuar në total për të paguar qytetarët 1 miliardë e 810 milionë euro.
Ndërsa diferenca ose deficiti i skemës u mbulua nga buxheti i shtetit në vlerën 135 milionë euro. Bazuar në këtë raport deficiti po ulet, pasi në krahasim me vitin 2023, nga buxheti i shtetit kanë dalë 11.3 milionë euro më pak për të mbuluar skemën e pensioneve. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto deficiti i skemës së pensioneve ka zbritur në 0.54% në fund të 2024-ës.
Vjet shifrat e ISSH dëshmojnë se numri i pensionistëve dhe i kontribuuesve u rritën pothuajse në të njëjtin nivel. Por që skema të jetë plotësisht efektive, duhet që numri i kontribuuesve të rritet më shpejt se i pensionistëve.
Vjet skemës ju shtuan vetëm 16,939 kontribuues dhe në total numri i punonjësve me sigurime të paguara arriti në 826,928 persona. Ndërsa numri i pensionistëve u shtua me 16,399 pensionistë, duke arritur në 721,398 pensionistë në total.
Disa nga faktorët që po ndikojnë negativisht në skemën e pensioneve janë emigrimi i fuqisë punëtore që ndikon direkt në numrin e ulët të kontribuuesve, si dhe punësimi në të zezë dhe nëndeklarimi i pagave, që ulin të ardhurat për skemën e sigurimeve shoqërore.
Vjet pensioni mesatar urban ishte 196 euro me rritje prej vetëm 12 euro nga 2023-shi, ndërsa pensioni rural ishte 118 euro ose 8.2 euro më i lartë se viti paraardhës.

Komente
