Ministrja Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes udhëzimit nr. 602, datë 1.8.2018, i ka hapur rrugë zbatimit të skemës së re të qeverisë ‘Rama 2’, për punësimin e mijërave shqiptarëve, nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit të ndërmarrjeve sociale.
Bëhet fjalë për zbatimin e ligjit për ndërmarrjet sociale, miratuar në qershor të vitit 2016 nga parlamenti me propozim të qeverisë, si përgjigje ndaj sfidës së papunësisë, kryesisht të grupeve vulnerabël. Me zbatimin e këtij ligji, 26 kategori të mëdha shoqërore do të përfitojnë punësim dhe shërbime të tjera për integrimin e tyre social dhe ekonomik. Ndërmarrjet sociale janë organizata jofitimprurëse, të financuara pjesërisht nga shteti, të cilat do të mbështeten edhe nga njësitë e qeverisjes vendore, në territoret brenda juridiksionit të tyre, me qëllim për zbatimin e politikave të tyre sociale, kryesisht punësimin, por edhe ofrimin e shërbimeve të ndryshme.
Ndërmarrjet do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në shërbime shoqërore, në ndërmjetësimin për punësim, në punësimin e të rinjve, në mbrojtjen dhe promovim e shëndetit, në shërbime në arsim, mbrojtjen mjedisore, promovimin e turizmit, ushtrojnë veprimtari sportive, promovojnë zhvillimin e komuniteteve etj. 30 për qind e punonjësve të punësuar në ndërmarrjen sociale duhet t’i përkasin shtresave në nevojë. Në ndërmarrjet sociale do të punësohen të papunët për një periudhë afatgjatë prej të paktën 12 muajsh, personat deri në 24 vjeç, personat që kanë mbaruar studimet e arsimit të lartë prej jo më shumë se dy vjetësh dhe nuk kanë filluar një punë, personat e pastrehë, ish-të burgosurit dhe personat orientim të ndryshëm seksual.
Mes kategorive që përfitojnë janë gjithashtu përfituesit e ndihmës ekonomike, persona që nuk kanë ndjekur arsimin e detyrueshëm, personat që jetojnë në zonat rurale dhe që nuk kanë tokë, punonjësit emigrantë që janë zhvendosur brenda vendit, personat që rezultojnë të varur apo ish-të varur nga droga, gratë që jetojnë në zonat rurale etj.
Udhëzimi i ministres Ogerta Manastirliu
Të drejtat e punonjësve
Ligji parashikon që çdo punonjës i ndërmarrjes sociale ka të drejtë për mbrojtje shoqërore të përshtatshme, cilido qoftë statusi i tij dhe pavarësisht nga madhësia e ndërmarrjes sociale, në të cilën ai është i punësuar. Punonjësve të ndërmarrjes sociale nuk mund t’u caktohet një trajtim ekonomik dhe ligjor më pak i favorshëm se ai i parashikuar nga kontratat e punës ose marrëveshjet kolektive të zbatueshme, në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
Punonjësit e ndërmarrjes sociale, pavarësisht pozicionit të tyre, kanë të drejtën e informimit, të dhënies së mendimit dhe të pjesëmarrjes në vendimet për drejtimet strategjike. Kufijtë dhe mënyrat e realizimit të këtyre të drejtave përcaktohen në rregulloret e brendshme të ndërmarrjeve sociale ose në marrëveshjet e lidhura ndërmjet organeve të administrimit të ndërmarrjes sociale dhe punonjësve apo përfaqësuesve të punonjësve.
Burimet e financimit
Sipas ligjit, ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë e tyre me mjete financiare që mund t’i sigurojnë nga të ardhura të realizuara nga shitja e mallrave dhe tarifat e shërbimeve. Gjithashtu ndërmarrjet do të përfitojnë subvencione publike, të lidhura me misionet e tyre të mbështetjes sociale dhe punësimit si dhe donacione private.
Ndërmarrjet sociale mund të marrin pjesë edhe në tendera. Autoritetet kontraktuese u japin të drejtën ndërmarrjeve sociale që të marrin pjesë në procedurat për dhënien e kontratave publike për shërbimet shëndetësore, sociale dhe kulturore. Ndërkaq, ndërmarrja sociale i përdor fitimet për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë së saj. Shpërndarja e çdo lloj fitimi, qoftë dhe në formë indirekte, në favor të anëtarëve, punonjësve apo bashkëpunëtorëve të ndërmarrjes sociale është e ndaluar.
Kategoritë që do punësohen në ndërmarrjet sociale
Përfituesit e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar në moshë aktive pune;
Persona që nuk kanë ndjekur arsimin e detyrueshëm, të cilët janë të rrezikuar të përjashtohen nga tregu i punës dhe përballen me shumë vështirësi për sigurimin e një pune të qëndrueshme dhe që siguron të ardhura ose përfitime të mjaftueshme;
Të vetëpunësuarit ose punëtorët e fermave familjare në bujqësi, të cilët janë të ekspozuar ndaj një pune të pasigurt e të paqëndrueshme, të cilët, në rast të dështimit të punës individuale apo në familje, rrezikohen të përballen me vështirësi të shumta në integrimin e tyre në tregun e punës;
Personat që jetojnë në zonat rurale që nuk kanë tokë, të cilët ndeshen me vështirësi të shumta në sigurimin e mjeteve të jetesës në mungesë të tokës dhe të aktivitetit bujqësor, pasi mundësitë që ofron tregu i punës për këto kategori janë shumë të kufizuara;
Të papunët për një periudhë afatgjatë prej të paktën 12 muajsh;
Personat deri në 24 vjeç ose personat që kanë mbaruar studimet e arsimit të lartë prej jo më shumë se dy vjetësh dhe nuk kanë filluar një punë;
Punonjësit emigrantë që zhvendosen ose janë zhvendosur brenda vendit;
Personat që u përkasin pakicave kombëtare, të cilët kanë të drejtë të arsimohen në gjuhën amtare dhe të përmirësojnë formimin e tyre profesional apo përvojën në punë, në mënyrë që të rrisin mundësitë për një punësim të qëndrueshëm;
Çdo kryefamiljar që jeton vetëm ose është beqar, që ka në ngarkim të paktën një fëmijë;
Persona që i përkasin moshës mbi 50 vjeç;
Çdo person që nuk ka përfituar një diplomë të arsimit të mesëm apo një diplomë ekuivalente më të, ose ka dy vjet, pas përfundimit të studimeve të arsimit të mesëm me kohë të plotë, që nuk ka një punë me pagesë të rregullt apo rrezikon ta humbasë atë;
Personat që rezultojnë të varur apo ish-të varur nga droga, alkooli apo substanca të tjera psikotrope;
Personat, të cilët nuk kanë pasur punën e tyre të parë të paguar rregullisht që nga fillimi i vuajtjes së dënimit me heqje lirie, me dënim alternativ apo çdo lloj dënimi tjetër penal;
Gratë që jetojnë në zonat rurale: ku niveli mesatar i papunësisë e kalon 50% të nivelit mesatar kombëtar për të paktën dy vjet kalendarikë; Ku papunësia e gjinisë femërore është mbi 150% e nivelit mesatar të papunësisë së gjinisë mashkullore për të paktën dy nga tre vjetët e fundit kalendarikë;
Gratë dhe vajzat viktima/viktima të mundshme të trafikimit, të shfrytëzimit dhe të dhunës në familje;
Personat me aftësi të kufizuar;
Refugjatët, sipas përcaktimit të ligjit për azilin;
Azilkërkuesit;
Personat me mbrojtje plotësuese;
Personat me mbrojtje të përkohshme;
Anëtarët e familjes së refugjatit;
Anëtarët e familjes së personit që i është njohur statusi i mbrojtjes plotësuese;
Personat pa shtetësi;
Personat e pastrehë;
Ish-të burgosurit;
Personat me identitet të ndryshëm gjinor dhe orientim të ndryshëm seksual.
Ka hyrë në fuqi udhëzimi nr. 602, datë 1.8.2018 i ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, për procedurat dhe dokumentacioni për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale.
Sipas udhëzimit të ministres, procedura e marrjes së statusit iniciohet nga vetë organizata jofitimprurëse me anë të një kërkesë drejtuar ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale. Kërkesa duhet të jetë në formë të shkruar dhe duhet të përmbajë edhe një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së organizatës dhe parashtrim të arsyeve se si organizata përmbush kriteret ekonomike dhe sociale të parashikuara në ligj për ndërmarrjet sociale.
Udhëzimi parashikon që kur një ndërmarrje sociale ushtron veprimtari për të cilat nevojitet licencë, pajisja me licencë, sipas përcaktimeve ligjore që rregullojnë licencimin, duhet të sigurohet përpara aplikimit për marrjen e statusit.
Krahas kërkesës për marrjen e statusit, subjektet e interesuara duhet të paraqesin vërtetim të lëshuar, jo më vonë se tre muaj para datës së aplikimit, nga Zyra e Regjistrimit të OJF-ve te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, një kopje të statutit dhe aktit të themelimit dhe një vendim të organit më të lartë vendimmarrës të organizatës jofitimprurëse ku të shprehet qëllimi i organizatës për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale.
Gjithashtu, subjekti i interesuar për të marrë statusin e ndërmarrjes sociale duhet të paraqesë dokumente të tjera që vërtetojnë përmbushjen e kritereve ekonomike e sociale, kopje të licencës, nëse do të jetë rasti si dhe një kopje të pasqyrave financiare të vitit paraardhës në rast se organizata e ushtron aktivitetin prej më shumë se një viti. Ndërkaq, nëse dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë ose kur vlerësohet e arsyeshme, strukturat përkatëse mund të kërkojnë dokumentacion shtesë përveç atij të paraqitur nga kërkuesi.
Verifikimi
Udhëzimi parashikon që nëse vlerësohet e nevojshme, gjatë procedurës së vlerësimit të kërkesës, strukturat përkatëse pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale mund të kryejnë vizitë vlerësuese në mjediset ku ushtron veprimtarinë organizata.
Në çdo rast kërkuesit njoftohen për vendimin e njohjes apo refuzimit të statusit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rast të përmbushjes së kritereve ligjore, njohja e statusit bëhet me urdhër të ministrit. Në rast të refuzimit të statusit, njoftimi duhet të përmbajë edhe arsyet e refuzimit. Në rast të njohjes së statusit, organizata jofitimprurëse detyrohet të përdorë emërtimin “Ndërmarrje Sociale” përkrah emrit të organizatës”.
Thuhet në udhëzim
Mundësitë e reja
Veprimtaritë e ushtruara nga ndërmarrjet sociale kontribuojnë në përmbushjen e objektivave socialë të sipërmarrjes, si: promovimi i përfshirjes sociale të kategorive në nevojë në këto veprimtari, inkurajimi i punës vullnetare, përfshirja e të rinjve në këto veprimtari, përmirësimi i kapaciteteve të shoqërisë për të ndërmarrë veprimtari novatore, që adresojnë çështjet sociale, ekonomike dhe mjedisore.
Veprimtaritë e ushtruara nga ndërmarrjet sociale krijojnë mundësi të reja për punësim dhe një mjedis inkurajues për integrimin social e riintegrimin profesional të grupeve të pafavorizuara në tregun e punës. Ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë në nivel lokal, duke ofruar mallra e shërbime në përputhje me nevojat e komunitetit dhe në kuadër të parimit të deinstitucionalizimit të funksioneve të njësisë së qeverisjes vendore
Kriteret ekonomike
1. Ndërmarrja sociale duhet të ushtrojë në mënyrë të vazhdueshme një veprimtari në fushën e prodhimit të mallrave dhe/ose ofrimit të shërbimeve.
2. Të paktën, 20 për qind e të ardhurave, pas vitit të dytë të aktivitetit dhe, të paktën, 30 për qind e të ardhurave, pas vitit të tretë e në vijim të aktivitetit, duhet të realizohen nga veprimtaritë e parashikuara në nenin 10 të këtij ligji.
3. Në veprimtarinë e saj ndërmarrja sociale,
përveç kontributit të vullnetarëve, duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe, të paktën, 3 punonjës me pagesë.
4. Të ardhurat e realizuara nga veprimtaria ekonomike e ndërmarrjeve sociale i shërbejnë zgjerimit të vazhdueshëm të veprimtarisë së tyre.
Kriteret sociale
1. Ndërmarrja sociale synon nxitjen e objektivave socialë në një fushë veprimtarie të mirëpërcaktuar.
2. Të paktën, 30 për qind e punonjësve të punësuar në ndërmarrjen sociale duhet t’i përkasin kategorisë së grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike.
Veprimtaria që ushtrojnë ndërmarrjet sociale
-Në fushën e shërbimeve shoqërore, veprimtari që lidhen me shërbime të kujdesit shoqëror, të cilat ofrohen në qendrat rezidenciale, qendrat ditore, në shtëpi dhe në komunitet, sipas parashikimeve ligjore përkatëse;
-Në fushën e shërbimeve shëndetësore, veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit, të aktiviteteve fizike e sporteve amatore, për qëllim socializimi e argëtimi;
-Në fushën e promovimit të turizmit, shërbime në bar-restorante-hoteleri, guida turistike dhe shërbime të turizmit social për personat, të cilët nuk kanë mundësi të vizitojnë atraksionet turistike për shkak të kushteve shëndetësore ose të jetesës;
-Në fushën e veprimtarive kulturore, veprimtari që lidhen me artin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre;
-Në fushën e mbrojtjes mjedisore, veprimtari që lidhen me ruajtjen e mjedisit nga ndotja e dëmtimi nga aktiviteti njerëzor dhe veprimtaritë ekonomike, për të garantuar një mjedis të shëndetshëm për qytetarët;
-Në fushën e kualifikimit dhe të ndërmjetësimit për punësim, veprimtari për promovimin e trajnimit profesional, veprimtari edukative e të ndërmjetësimit për punësim për personat që përfshihen në kategoritë e grupeve të pafavorizuara.
-Ndërmarrjet sociale kryejnë edhe veprimtari tregtimi mallrash apo shërbimesh, të ofruara nga veprimtari të ndërmarrjeve të tjera sociale, produkte për personat e pafavorizuar, produkte të prodhuesve të vegjël nga zona të thella apo të pafavorshme nga ana mjedisore, si dhe të tjera veprimtari në mbështetje të ndërmarrjeve të tjera sociale.
-Në fushën e prodhimit, ndërmarrjet sociale kryejnë veprimtari që lidhen me prodhimin artizanal të një game të gjerë mallrash e produktesh që i shërbejnë komunitetit dhe, veçanërisht, produktesh që kanë për qëllim krijimin e lehtësive për personat e pafavorizuar.