Skema e trafikut të emigrantëve, përgjimet si trafikantët bashkëpunonin me efektivët: Më ço kartën të çoj 50 euro...! Aplikimet për viza fiktive përmes agjencisë së punësimit

14 Prill, 19:07| Përditesimi: 14 Prill, 20:17

  • Share

Report Tv siguron dosjen në ngarkim të 26 personave me masë sigurie nga GJKKO, që trafikonin emigrantë nga Bangladeshi, Iraku dhe Pakistani. Në dosje tregohet se kufiri shqiptar është lehtësisht i kalueshëm, dhe kjo për shkak të zyrtarëve policor që thyejnë ligjin dhe lejojnë kalimin e paligjshëm.

Në dosje thuhet se grupi kriminal i kishte rolet e ndara, mes të cilëve Luan Sulaj mundësonte transportin, Lulzim Lami siguronte kontrata punësimi fiktive, Xhuljo Krasniqi, Edmond Baklli dhe Tom Preka ishin organizatorë, ndërsa zyrtarët e policisë Edmond Barha e Altin Hasani ishin garancia për të mos u prekur emigrantët. 

Sipas SPAK, ata dyshohet se përmes përfitimit të paligjshëm, në dijeni të plotë, lejuan aktivitetin kriminal. Por jo vetëm kaq, edhe Arba Hysenllari punonjëse e agjencisë së punësimit, ishte në dijeni të aplikimeve për punësim e viza pune, si dhe të aktivitetit kriminal.

Endri Seiti dhe Luan Tafalla organizojnë aktivitetin kriminal, të cilët përmes agjencisë së punësimit “Intercontinental Link”, me ortak dhe administrator Endri Seitin, në bashkëpunim me shoqërinë tregtare “Mags Shoes” të italianit Antonio Spechio, “Gerem Konfeksione” me Xhuljeta Çoben dhe shoqërinë “Konservimi Adritatik” të Artur Matës, kryenin aplikime për leje unike punësimi e më pas aplikime për pajisje me vizë “D”, për punësimin e klandestinëve. Por, të gjitha ishin fiktive dhe qëllimi ishte që të hynin lirshëm në Shqipëri, dhe më pas të ndiqnin destinacionin final, vendet e Bashkimit Evropian.

Në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" mbërrinin të huaj që kryesisht ishin nisur nga Dubai. SPAK ka përdorur edhe një pajisje GPS të quajtur “PEAKSLIM” që ia ka vendosur përmes agjentëve në çantë njërit prej pasagjerëve që ka udhëtuar me linjën Dubai-Tiranë, përmes të cilët janë kontrolluar lëvizjet e refugjatëve në disa raste. Artur Mata rezulton edhe i promovuar në disa media vendase si sipërmarrës që punëson bangladeshas, teksa në pamje shfaqet duke pritur klandestinë, të cilët fotografohen e më pas nis tranziti i tyre.

Sipas SPAK Edmond Braha përfundonte porositë e specialistit Altin Hasani. Ky i fundit nuk takohej personalisht në ambiente të hapur me trafikantët, por dërgonte kolegun. Hasani jepte aprovimin në lidhje me procedurat e pajisjes me vizë të shtetasve të huaj. Braha pasi takonte trafikantët shkonte dhe raportonte tek Hasani. Në një përgjim ambiental, agjentët arrijnë të sigurojnë të dhëna me interes. Po Luan Tafalla flet me kode duke i shpjeguar një personi që ka qenë në banesën e Altin Hasanit dhe ku kanë biseduar rreth shtetasve të huaj. Në këto biseda kuptohet që në të njëjtin pallat ky ka banesën, ka zyrën edhe bashkëshortja e tij e cila punon pranë OSBE-së dhe takimet realizohen pa mbajtur telefon me vete, fakte të cilat tregojnë për kujdesin e shtuar që personi nën hetim ka për të mos u kapur.

Ndërkohë janë me dhjetëra përgjime ambientale, ku flitet për zyrtarët e korruptuar të policisë. E tillë është ajo mes trafikantit Endri Seiti dhe nëpunëses së agjencisë së Punësimit Ara Hysenllari ku flasin se kush duhet ta takojë Edmond Brahan, teksa Saiti thotë se ai se takon dot se i kërkojnë lekë.

Endri Saiti: Shko takojë ti, se mua s’më lejohet të futëm brenda.

Arba Hysenllari: Ti je një përtac i dh***, nuk takon asnjë lloj robi, shko takoje Mondin vetë, ja ti shkruaj Mondit këtu.

Endri Seiti: Ça jam unë, ça jam? E mori Lani dje, hajde të zyra tha.

Arba Hysenllari: Dh*** je.

Endri Seiti: Më kërkojnë lekë, ty s’të kërkojnë lekë.

Punonjësi tjetër i policisë së Rinasit, rezulton i përfshirë, kë në telefonin e tij janë gjetur të dhëna për emigrantë.

Tom Preka: Mgjes, shoku, mos harro nesër jam aty.

Arjel Hoxha: Klm djalë i mirë, zoti të ruajtë, respekte Toma.

Tom Preka: Respekte, 3 foto ti kam bërë.

Arjel Hoxha: 150 apo jo?

Tom Preka: Po, 150 në dorë, kaq kisha me vete.

Arjel Hoxha: Ok ok ska gjë nga që nuk po e lexoj mirë prandaj.

Bëhet fjalë për një foto të nisur rreth një pagesë të bërë në një insituticion financiar. Dërgues I parave është Tom Preka ndërsa marrës efektivi Arjel Hoxha, që dyghsohet të jetë shpërblyer për lejimin e aktivitetit kriminal. Tom Preka ka kryer bisedë të tillë edhe me efektivin tjetër Ermal Hoxha.

Tom Preka: Ermal, Toma jam, që më ndihmove gocën.

Ermal Hoxha: Ok pa merak.

Tom Preka: Ma ço kartën të të çoj 50 euro me …. E paguaj unë, vetëm me e marr ke.

Ermal Hoxha: Flm, mos e vra mendjen.

Tom Preka: Jo jo, ma ço kartën dhe reghjistroje numruin tim se kur të vish në Durrës të jap një drekë të restoranti jem. Ma ço kartën më mirë, dhe unë rri i qetë pash Zotin.

Nga leximi i dosjes hetimore, mësohet se janë rreth 190 shtetas nga Lindja e Mesme që janë futur në mënyrë të kundraligjshme në vend nga tetori 2023 deri në janar 2024.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?