Lulet e familjarëve janë ende në vendin ku u vra Behar Sofia. Shtatë ditë nga ekzekutimi, hetimet nuk kanë shkuar akoma tek emri i autorit.
66-vjeçari Behar Sofia sapo kishte pirë kafen e mëngjesit, ndërsa lëvizi në këmbë për 180 metra për të ardhur në këtë vend dhe për t’u ekzekutuar me dy plumba, nga autori, i cili më pas u largua me biçikletë në drejtim të Kodrave të Liqenit artificial këtu në Tiranë.
Report TV, bazuar në deklaratat e dëshmitarëve ka ndërtuar skemën e lëvizjes së 66-vjeçarit Sofia nga lokali ku piu kafen, e deri tek vendi ku u qëllua. Një kafe përballë piramidës, në rrugën “Papa Gjon Pali II” ishte vendi i fundit ku Sofia qëndroi për rreth 30 minuta.
Pasi doli nga aty, lëvizi në trotuarë në drejtim të ETC-së dhe më pas u kthye majtas në vizat e bardha.
Nga aty, sërish, përmes vizave të bardha kaloi në trotuarin ngjitur me Lanën. Pasi kishte bërë 180 metra në këmbë, krejt papritur u shfaq dikush që e qëlloi me armë. Behar Sofia u shemb në tokë.
Nga këtu, autori u largua me shpejtësi në drejtim të urës së Lanës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një dëshmitar ka deklaruar se ai mori biçikletën poshtë urës. Pas kryerjes së kamerave të sigurisë, grupi hetimor arriti në përfundimin se vrasësi lëvizi i pashqetësuar në bulevard, kaloi dy palë viza të bardha dhe u nis me biçikletë.
Autori, pasi qëlloi dy herë në drejtim të 66-vjeçarit Behar Sofia, me pistioletën e tij TT, u largua me biçikletë përmes kësaj korsie në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të liqenit. Nga ai vend ka humbur çdo gjurmë. Prokuroria dhe Policia e Tiranës vijojnë hetimet për identifikimin e tij dhe bashkëpunëtorëve.
Një javë pas vrasjes, askush nuk është arrestuar akoma. Hetimet vijojnë të jenë intensive.