Në foto, i kërkuari për skemën mashtruese, Florian Gjergji

Skema e zhvatjes së biznesmenëve me platformat e koduara duke u hequr si zyrtarë, Policia: Mos iu nënshtroni shantazheve, ja si të veproni

5 Gusht, 13:39| Përditesimi: 5 Gusht, 13:46

  • Share

Rastet e mashtrimit të qytetarëve dhe biznesmenëve kryesisht, pasi janë edhe shënjestra kryesore e personave që përdorin emra zyrtarësh apo funksionarësh të lartë shtetërorë për të finalizuar skemën kriminale, ka vënë në lëvizje edhe organet ligjzbatuese.

Shkak është shtimi i ankesave dhe precedentët e përsëritur, teksa pronarë subjektesh me emër i nënshtrohen shantazheve telefonike në platforma të ndryshme si Signal apo Telegram, duke iu përgjigjur shantazhuesit në krahun tjetër, që hiqet si politikan, shtetar, ministër apo deri dhe kryebashkiak.

Dhe besohet e dyshohet se pas skemës qëndron i njëjti “Arsen Lupen” apo “Skifter”, i shumëkërkuari Florian Gjergji. Ai tashmë është i skeduar me kartelë të kuqe nga policia, teksa ka të paktën tre çështje mashtrimesh të ndryshme. Dhe Policia e Shtetit nuk ka qëndruar indiferente, duke përsëritur sot apelin ndaj qytetarëve e veçanërisht investitorëve apo biznesmenëve që të denoncojnë dhe të mos bien pre e mashtrimit.

“Policia e Shtetit, bazuar në inteligjencën policore, ka intensifikuar punën që nëpërmjet strukturave të specializuara, të parandalojë raste të shantazhimit për dhënie pasurie. Nisur nga raste të evidentuara dhe të goditura kohët e fundit, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe duke marrë shkas nga disa kallëzime të reja në strukturat e Policisë së Shtetit, nga pronarë apo administratorë biznesesh, të cilët kanë deklaruar se janë shantazhuar nga shtetas të paidentifikuar, në emër të funksionarëve publikë dhe shtetërorë, për të dhënë shuma parash për llogari të tyre, Policia e Shtetit apelon edhe një herë për të gjithë operatorët ekonomikë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Dhe më tej specifikohen hapat që duhen ndjekur dhe se si t’i identifikojnë apo t’u shmangen këtyre mashtruesve.

"Të tregohen vigjilentë ndaj rasteve të tilla të mashtrimit dhe të denoncojnë menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, vendore apo qendrore, çdo rast të dyshuar ose nëse janë viktima të kësaj veprimtarie kriminale", këshillohet nga institucioni policor.

Dhe skema realizohet me anë të aplikacioneve të koduara ose jo, apo platformave të enkriptuara.

“Theksojmë se individët apo grupet, për realizimin e qëllimit të tyre, po përdorin aplikacione të ndryshme telefonike për të komunikuar me operatorë ekonomikë, duke iu kërkuar donacione në emër të funksionarëve publik apo shtetërorë. Prandaj, cilido që konstaton të tilla komunikime apo ka rënë pre e tyre, të denoncojë menjëherë”, shpjegohet nga autoritetet.

Në fund, Policia e Shtetit thekson se “është e angazhuar maksimalisht dhe i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të parandaluar dhe goditur në kohë, veprimtarinë kriminale, në cilëndo fushë që ajo shfaqet”.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?