Akuzat e adresuara herë pas here ndaj opozitës për gjobëvënie ndaj bizneseve të mëdha përmes retorikës së tyre politike, duket se aneksohen drejtpërdrejt nga aksionet konkrete në terren nga ish-ligjvënës të Partisë Demokratike.
Një ndër iniciativat publike më të fundit të udhëhequr nga PD-ja ka qenë ai i organizimit të një grupi të vogël individësh prej 10-20 vetësh, për të protestuar kundër një projekti të implementuar nga Bashkia Elbasan në fshatin Labinot, i gjendur 5 km pranë qytetit të Elbasanit.
Edhe pse pjesë të një zone e cila ka protestuar për vite me radhë duke kërkuar me insistim rregullimin dhe asfaltimin e rrugës, disa banorë kanë dalë kundër bashkëfshatarëve të tyre, ku po tentohet bllokimi i projektit që synon ndërtimin e këtij aksi automobilistik.
Protesta
Nëse e shohim në pikëpamjen e parë këtë ngjarje të raportuar fillimisht nga llogaria zyrtare e Partisë Demokratike, shihen dy palë që kanë dalë kundër njëra-tjetrës.
-Në një anë qëndron grupi i banorëve që duan ndërtimin e rrugës e cila mund ta shndërrojë atë zonë të braktisur prej vitesh në një hapësirë zhvillimi.
-Në anën tjetër, edhe pse i vogël në numër qëndron grupi i individëve që proteston kundër projektit me idenë se do të dëmtojë zonën dhe do të zaptojë disa metra tokat e tyre në momentin që do të zgjerohet.
Nëse ky është këndvështrimi i parë që të ofron ngjarja e regjistruar së fundmi në Labinot, le të shohim se si qëndron e vërteta e fakteve dhe pse kaq papritur u zgjua interesi i Partisë Demokratike për të organizuar një protestë me një numër të vogël banorësh, të cilëve i ka ushyer idenë e grabitjes së tokës përmes këtij projekti.
Edhe pse ngjan si një debat i vogël banal i cili thjesht është pompuar nga Partia Demokratike, pas tij duket se fshihet një strategji e tërë e opozitës për linçimin publik të bizneseve të mëdha, duke shfrytëzuar edhe ngjarje periferike si këto.
Kryedemokrati Lulzim Basha, ka zgjedhur që këtë kauzë të re opozitare, t’ja delegojë ish ligjvënësit demokrat Luçiano Boçi i cili përmes aktivistëve që disponon në qytetin e Elbasanit ka kërkuar protesta për të goditur një nga bizneset më të mëdha që gjendet në atë zonë “Fish City”.
Ngjarja u përzgjodh të raportohet drejtpërdrejt nga Partia Demokratike në llogarinë e saj, ku ish deputeti Boçi shfaqej në rolin e gazetarit duke intervistuar ata banorë që kishin zgjedhur t’i bashkoheshin. Në fund, ai dha edhe një prononcim ku tha se është i vendosur për të bllokuar deri në fund projektin.
“Banorët janë të vendosur, ne kemi ardhur këtu për mbështetje. Jo për përfitime politike po për mbëstetje politike. Problemi i banorëve sot është problem I lagjes sime, i qytetit tim”, tha ndër të tjera Boçi pasi intervistoi banorët.
Edhe pse kjo ngjarje mund të zgjidhet me mirëkuptim komunitar apo me vendim administrative, qëllimi kryesor është shfrytëzimi i saj për të dëmtuar kompaninë “Rozafa”, në mënyrë që drejtuesit e saj për t’u ruajtur nga sulmet qoftë të paprecedenta që mund t’i dëmtojnë imazhin, të paguajnë organizatorët.
Ashtu siç është denoncuar publikisht, kjo formulë gjobë-vënie është ndjekur nga zyrtarët e Partisë Demokratike, veçanërisht nga lideri i saj Lulzim Basha për të goditur biznese të tjera të mëdha.
Referuar të dhënave zyrtare, sulmi i Partisë Demokratike ndaj këtij biznesi duke shfrytëzuar disa banorë, dëmton indirekt rreth 1000 persona të cilët kanë përfituar nga ky investim.
Referuar të dhënave nga aktivitetet politike të PD-së në Elbasan si edhe raportimet e mediave lokale, raste të ngjashme gjobë-vënie kanë ndodhur edhe me bizanese të tjera të mëdha të qytetit duke dëmtuar drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik që ata sjellin./Tema.