Foto ilustruese

Skema si do të privatizohen për strehim për ushtarakët 53 repartet (Dokumentet që duhen)

8 Shkurt 2020, 19:10| Përditesimi: 8 Shkurt 2020, 19:30

  • Share

TIRANE-Ish-ushtarakët që jetojnë prej vitesh në godinat apo repartet në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes tashmë do të kenë mundësi që t’i privatizojnë. Ministria e Mbrojtjes ka hartuar një projektligj që përcakton kushtet dhe kriteret për ish-ushtarët që jetojnë në këto godina dhe mundësinë për t’i privatizuar.  

Në listën e privatizimeve janë gjithsej 53 objekte në Tiranë, Kavajë, Pogradec, por edhe në qytetin e Sarandës, etj. Por sa do të paguajnë ish-ushtarakët? Në projektligj theksohet se përfituesit e këtyre objekteve për privatizim nga Enti Kombëtar i Banesave do të paguajnë vetëm vlerën e truallit nën objekt, sipas vlerës së çmimit që ka pasur trualli në momentin e pajisjes së ushtarakut, ish-ushtarakut me dokumentacion për qëllim strehimi dhe shpenzimet hipotekore. Të drejtën e privatizimit e kanë edhe trashëgimtarët e ish-ushtarakëve.

Por cilat janë arsyet që u ndërmor ky projektligj? “Arsyeja kryesore e propozimit të projektligjit është pikërisht zgjidhja e problematikës së krijuar për shkak të ndryshimeve strukturore dhe shtesave të kryera nga vetë poseduesit e objekteve. Pikërisht kjo gjendje faktike ka bërë të pamundur zgjidhjen e problematikës dhe privatizimit të objekteve të dhëna për strehim nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, siç është parashtruar më lart në kapitullin III të relacionit.

Projektligji përjashton privatizimin e objekteve në inventar të Ministrisë së Mbrojtjes të cilat janë brenda Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së Forcave të Armatosura. Shpenzimet për kalimin e të drejtës së pronësisë nga Enti Kombëtar i Banesave në favor të përfituesve do të përballohen nga këta të fundit. Projektligji do të ketë impakt financiar pozitiv, pasi kusht për privatizim është përcaktuar pagesa e vlerës së truallit nën objekt nga përfituesit, shumë financiare e cila do të shërbejë për kompensim financiar të ish-pronarëve” thuhet në relacion.

Dokumentacioni vërtetues
Draft ligji përcakton se të gjithë ata që do të duan të privatizojnë banesën ku janë strehuar duhet të disponojnë dokumentacionin origjinal apo të njehsuar me origjinalin. Kështu sipas draft ligjit dokumentacioni vërtetues i pajisjes së personave me objekt për qëllim strehimi është:

a) autorizim nga komisionet e strehimit;
b) listë shpërndarje nga komisioni i strehimit apo nga Ministria e Mbrojtjes;
c) urdhër i ministrit të Mbrojtjes për strehim;
ç) shkresë drejtuar Entit Kombëtar të Banesave;
d) autorizim nga komandat e reparteve për strehim
dh) autorizim i përkohshëm nga komandat e reparteve për strehim;
e) kontratë ruajtje ndërmjet poseduesit dhe komandës së repartit;
ë) urdhër ruajtje nga komanda e repartit që ngarkon poseduesin për ruajtjen e objektit;
f) urdhër për strehim të përkohshëm nga komanda e repartit
g) kontratë provizore ndërmjet poseduesit dhe komandës së repartit;
gj) kontratë qiraje ndërmjet poseduesit dhe komandës së repartit
h) vendim nga komisionet e strehimit.

Faqja e pare e projktligjit

(Kliko këtu për të lexuar projektligjin e plotë)

(Kliko këtu për të lexuar relacionin)

(Kliko këtu për të lexuar listen me 53 objektet)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?