Deputeti Erion Braçe vazhdon të dënoncojë me të njëjtën forcë skemat piramidale online në vendin tonë.
Ditën e sotme, Braçe ka publikuar në rrjetet sociale një video që tregon se si vidheshin qytetarët që besonin te shumëfishimi i parave të derdhura në këto skema piramidale online.
Në video tregohet se si qytetarëve që dëshironin të bëheshin pjesë e këtyre skemave, iu merresheshin paratë nga llogaria bankare në Binance dhe nga Binance në Xuex. Deputeti thekson se një nga vajzat në video është e ashtuquajtuara Joana, personi kyç që ka drejtuar trajnime me agjentët që rekrutonin njerëz e grumbullonin paratë për piramidën.
Joana përmendet edhe në dëshmitë e 3 prej 6 të arrestuave në gjatë operacionit të drejtuar nga Prokuroria e Fierit më 14 shtator për goditjen e skemave piramidale online.
I arrestuari Arbër Çela thotë në dëshminë e tij se Joana ishte personi që e mësoi se si të investonte në platformën Xuex.
"Unë kam investuar vetëm në platformën Xuex, në Txex jo dhe më ka sugjeruar nipi im Veiz Cani i cili jeton jashtë shtetit. Të gjitha ti mëson vet Joana dhe profesor Smith. Dua të them se të gjitha procedurat unë i kam mësuar nga grupi ku i dërgonin Joana dhe Leo Smith, me video. Unë kam bërë 2300 dollarë investim në fillim dhe se kjo është shuma që unë kam investuar vetëm 2300 dollarë",- ka thënë para hetuesve 38-vjeçari.
Flavio Mukaj, i cili po ashtu u arrestua më 14 shtator, ka treguar se në aplikacionin Telegram, Joana, krahas të ashtuquajturit Leo Smith, ishte personi kryesor që udhëzonte qytetarët e përfshirë në skemë.
"Në aplikacionin Telegram, flisja dhe komunikoja me një emër "Leo Smith" dhe "EG GROUP JOANA" e cila ishte si tip menaxhereje, unë kam komunikuar vetëm me kêta emra. Pasi une kam kontaktuar me Leo Smith në një grup po ne rrjetin Telegram me mbishkrimin "EG19-Team", "EG-Albania TEAM" dhe "EG-118 TEAM LEARNING", është shprehur Mukaj.
Para hetuesve ka dëshmuar edhe Oltion Todi, i cili është bashkëshorti i Brunilda Todit, 38-vjeçares të arrestuar gjatë operacionit të udhëhequr nga Prokuroria e Fierit. Nga pretendimet e tij duket se Joana ishte ndërmjetësuesja e investitorëve dhe Leo Smithit.
"Dua të sqaroj se kur kam hyrë në aplokacion më shkruante një managere që quhej Joana dhe më shpjegonte nëpërmjet telegramit se si të vëproje. Dua te deklaroj se personi me emrin Joana në telegram me shpjehgoj rugëtimin dhe unë kam marr kartën e bankës dhe jam rregjistruar te platforma Xuex ku dhe depozitova 1000 dollarë. Dua të sqaroj se për të investuar në XUEX duhej të kishe një kart banke të dhënat e kartes së bankës i fusje te platforma XUEX sipas udhëzimeve që jepte personi me emrin Joana ne telegram dhe shkruaje shumën që do depozitoje, futeshe në loj .Personi me emrin Joana në telegram fliste me një person tjetër që quhej Smith dhe Smithi ishte ai që autorizonte pjesmarrjen në loj, ky person jepte ok pěr tu futur në loj dhe të fuste në grup. Ne momentin që ishe pjesë egrupit aty vinte një sinjal dhe futeshe në XUEX , dhe ky sinjal binte dy her në dit një here ne orën 14:00 dhe në orën 19:00 ,dyherë në dit. Dua të saaroi se ky sinjal ishte mesazhi i Smithit në telegram dhe në momentin që vinte ky mesazh un futesha te platforma XUEX. Kěté shumë unë e kam depozituar drejt drejt platformës Xuex" dhe më pas pasi ajo konfirmohej nga platforma lekët tona ruheshin në llogari në "Binance. Ka qënë një person me emrin Joana në telegram dhe Smithi që shpjegonte. Vlera fillestare dhe e vetme që unë kam investuar në këtë platform ka qënë 1000 dollar",- është shprehur Oltion Todi.
Më 14 shtator policia dhe prokuroria e Fierit arrestuan Arbër Çelën, pronar i nje lokali ne Lushnje, Emanuel Taullaun, Flavio Mukajn, Marius Kodrën, Brunilda Todin dhe Brunilda Ndinin, të cilët sipas policisë ishin agjentët kryesorë që promovonin platformen “XUEX” ne Lushnje dhe Divjake.
Burimet policore bëjnë me dije se skema piramidale online që u godit në Fier, funksiononte me një shtrirje rekrutimi zinxhir. Agjentët duhej të gjenin të paktën 5 persona që të mund të ishin të ashtuquajtur investitorë dhe këta të fundit duhet duhej të gjenin secili nga 5 të tjerë dhe kështu skema shtrihej gjerësisht.
Qytetarëve iu premtoheshin fitime të larta përmes investimeve në kriptomonedha, ndërsa udhëzimet jepeshin në grupe të mbyllura në aplikacionin “Telegram” nga një person i identifikuar si “Leo Smith”.
Gjashtë të arrestuarit janë përfituesit më të mëdhenj të platformës XUEX, të cilët kanë marrë shuma të mëdha parash në fillim dhe më pas kanë bërë pjesë të skemës, njerëz të rrethit të tyre familjar e shoqëror. Report Tv mëson se janë të paktën 900 qytetarë që kanë rënë pre e mashtrimit në Lushnje, Divjake, e Fier. Shumë prej “viktimave” të skemes piramidale online janë bujq, të cilët kanë shitur edhe mjete bujqësore për të investuar në këtë skemë.
Duke iu referuar pragut minimal prej 1000 dollarësh për investim në platformën “XUEX, vlera e parave që iu është marrë qytetarëve përllogaritet të jetë shumë e lartë. Ka qytetarë që kanë hedhur deri në 20 mijë USD. Për momentin, platforma është e bllokuar dhe paratë konsiderohen të humbura.
Policia dhe prokuroria arritën zbulojnë këtë skemë mashtrimi, përmes policëve të infiltruar, të cilët u futen në XUEX dhe arritën të zbërdhejnë gjithë rrjetin.
Komente
