Skena e Pavarur Kulturore në ‘zgrip’, Andi Tepelena: Në 30 vite, arti ‘peng’ i qeverive të majta dhe të djathta (VIDEO)

7 Janar 2021, 16:57| Përditesimi: 7 Janar 2021, 17:20

  • Share

 

Përfaqësuesi i Skenës së Pavarur Kulturore, Andi Tepelena rrëfen se si pandemia Covid 19 ka vështirësuar veprimtarinë artistike në vendin tonë. Për projektet e artistëve të pavarur gjatë vitit që lamë, për Tepelenën, mbështetja e institucioneve të kulturës ka qenë zero, duke mos rialokuar asnjë fond të posaçëm

“Nga momenti, që vendi ndodhet në këtë situatë pandemie, skema financiare për të ndihmuar krijuesit e pavarur ka munguar. Unë nuk di që artistët të kenë përfituar deri në këto momente që flasim një ndihmë modeste. 2.5 milionë euro ka rialokuar Ministria e Kulturës së Kosovës për artistët e pavarur. Ndërsa, këtu artistët vazhdojnë të aplikojnë për fonde, por fond të posaçëm s’ka pas asnjë”, thotë Tepelena.

Sa i përket fondit që MK çel çdo vit për projekte, artistët duhet të aplikojnë përmes Organizatave Jofitimprurëse, gjë që sipas Tepelenës i penalizon

“MK bën një thirrje ccdo vit për aplikimet, vazhdon skema fikse, por duhet gjetur alternativa të reja, se rreth 150 mijë euro në vit, është një shumë e papërfillshme. Ndërsa, aplikimi përmes OJF-ve penalizon tmerrësisht artistin”

Për Tepelënën, skena e pavarur është drejt asfiksimit, por ai shpreson për një përgjigje nga ministrja aktuale e Kulturës Elva Margariti, në zyrën e së cilës prej tre vitesh fle një draft-projekt për formalizmin e këtij tregu, që prej 30 vitesh mbahet peng nga politika shqiptare

“E kemi kërkuar një normalizim të tregut, që të bëhen dhe politika kulturore. Por, në këtë vend prej 30 vitesh mungon vullneti i të gjitha qeverive për të zgjidhur statusin e artistëve. Ish- ministres së Kulturës, Mirela Kumbaros, i kemi paraqitur një draft-projekt që i kërkonim normalizimin e statutit të artistit, krijimin e një qendre të pavarur dhe një mbështetje për artistët e rinj, por ka ngelur në sirtar prej tre vitesh. I kemi shkruar edhe Elva Margaritit, ministres aktuale. Kemi kërkuar sërisht ta takojmë, por nga MK s’ka asnjë përgjigje”.

Përfaqësuesi i skenës së Pavarur kulturore, Andi Tepelena, përfundon se pavarësisht mungesës së politikave kulturore, artistët nuk do të dorëzohen.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?